Medin Halilovic
21 Tetor 2015•Përditësim: 21 Tetor 2015
BEOGRAD/BERKASOVO (AA) – Në Berkasovo, në kufirin serbo-kroat, këtë mëngjes, më shumë se tre mijë refugjatë kanë arritur të çajnë kordonin e policisë në linjën kufitare dhe kanë hyrë në Kroaci. Lajmi është konfirmuar për Anadolu Agency (AA).
Policia kroate, e cila atë vend dy ditë më parë në mënyrë të kontrolluar lejoi kalimin e refugjatëve, gjatë natës lëshoi një grup me nga dhjetëra njerëz dhe sot në mëngjes nuk e ka penguar një numër të madh prej tyre të hynë në Kroaci.
"Sot rreth orës tetë të mëngjesit refugjatët kanë çarë kordonin e policisë në kufirin me Kroacinë, dhe të gjithë ata që e kaluan natën në Berkasovo arritën të hyjnë në Kroaci," tha Ivana Vukasheviç nga Qendra humanitare për integrim dhe tolerancë, organizatë e cila është partneri drejtues i UNHCR-së për Vojvodinën.
Ajo tha se mbrëmë kanë kaluar nën qiellin e hapur më shumë se tre mijë njerëz nga Siria, Iraku, Afganistani dhe vendet e tjera dhe se ata vazhdojnë të mbërrijnë në vendkalimin jozyrtar kufitar në Berkasovo-Bapska afër Shid-it.
Vukasheviç tha se gjatë një nate më parë ka patur njerëz të cilët, për shkak të hipotermisë, lodhjes, kolapsit dhe dhimbjeve të barkut kanë marrë ndihmë mjekësore. Ndihma e shpejtë nga Shid-i gjatë natës ishte e pranishme në Berkasovo.
"UNHCR-ja së bashku me Mjekët pa kufij ka marrë pjesë në përkujdesin e refugjatëve dhe ndarjen e ushqimit, ujit, batanijeve dhe mushamave", tha Vukasheviç.
Në Berkasovo është formuar një kamp joformal ku UNHCR-ja dhe disa organizata humanitare vendore dhe ndërkombëtare kanë ngritur tenda dhe kontenierë në të cilat bëhet ndarja e ndihmës humanitare për refugjatët dhe migrantët.