Kayhan Gül
16 Korrik 2018•Përditësim: 17 Korrik 2018
ZAGREB (AA) - Kombëtarja kroate e futbollit është pritur me entuziazëm të madh në Zagreb pasi përfundoi në vendin e dytë në Kampionatin Botëror 2018 që u mbajt në Rusi, raporton Anadolu Agency (AA).
Të përzgjedhurit e kombëtares kroate arritën në Aeroportin Franjo Tudjman, ndërsa që nga hyrja në hapësirën ajrore të Kroaciosë u përcollën nga avionë të forcave ajrore.
Pas pritjes në aeroport, futbollistët kroatë me një autobus të hapur lëvizën drejt Sheshit Ban Jelaçiç për të marrë pjesë në ceremoninë qendrore festive.
Gjatë rrugës në drejtim të qendrës së qytetit, futbollistët firmosën flamuj dhe fanella të Kroacisë, të shoqëruar nga ovacione të tifozëve.
Kombëtarja u prit me entuziazëm të madh nga qindra mijëra persona të mbledhur në Sheshin Ban Jelaçiç, ku futbollistët arritën pas një udhëtimi pesë orësh.
Futbollistët u ngjitën në skenën e përgatitur në shesh, kur përshëndetën qytetarët e mbledhur për të festuar suksesin e arritur në botëror.
Kapiteni i ekipit, Luka Modriç, i cili iu drejtua turmës në shesh, falënderoi tërë Koracinë për mbështetjen.
Ndërkohë, organizatorët bënë të ditur se në Sheshin Ban Jelaçiç ishin mbledhur mbi 500 mijë persona.
Nga ana tjetër, u njoftua se presidentja e vendit Kolinda Grabar Kitaroviç do të nderojë futbollistët dhe zyrtarët e kombëtares me medalje shtetërore për arritjen historike në Kampionatin Botëror.
Kroacia humbi me rezultatin 4-2 në përballjen me Francën në finalen e Kampionatit Botëror 2018 të FIFA-s.