Tayfun Salcı
30 Nëntor 2015•Përditësim: 30 Nëntor 2015
BRUKSEL (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg sot në Bruksel deklaroi se anëtaret e Aleancës me konsensus e mbështesin të drejtën e mbrojtjes së hapësirës ajrore të Turqisë. Ai i bëri thirrje Rusisë që të marrë rol konstruktiv duke e shënjestruar armikun tonë të përbashkët në Siri, DAESH-in, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit mes kryeminsitrit turk Ahmet Davutoglu dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg u mbajt një konferencë e përbashkët për mediat. Stoltenberg tha se në takim janë biseduar zhvillimet në lidhje me avionin luftarak rus i cili javën e kaluar kishte shkelur hapësirën ajrore turke.
Stoltenberg theksoi se Turqia është e lidhur me NATO-n, edhe NATO-ja është e lidhur në mënyrë të fuqishme me sigurimin e Turqisë.
"Gjendja në kufijtë juglindor të NATO-s është duke u ndryshuar shpejtë. Diskutuam ngjarjet të cilat çuan në rrëzimin e një avioni rus. Të gjithë aleatët e mbështesin integritetin territorial dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore turke. I përshëndes me ngrohtësi përpjekjet e Turqisë për uljen e tensioneve dhe përpjekjet e Turqisë për të vendosur kontakte me Moskën. Është e rëndësishme të qëndrohet qetë dhe të ulen tensionet. I bëj thirrje Rusisë që të marrë një rol konstruktiv duke e shënjestruar armikun tonë të përbashkët në Siri, DAESH-in", deklaroi Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ai tha se ngjarja e javës së kaluar, e tregoi rëndësinë e përforcimit të mekanizmave ndërkombëtare për stabilitetin, transparencën dhe parashikueshmërinë në marrëdhëniet me Rusinë. Sipas tij, ky mekanizëm do të ulë rrezikun për përsëritjen e ngjarjeve të tilla, por edhe nëse ndodhin është në një gjendje kyçe për parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve dhe daljes jashtë kontrollit.
Stoltenberg njoftoi se mekanizmat për reduktimin e rrezikut do të diskutohen në mbledhjen e nesërme të Ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Kreu i Aleancës Veriatlantike tha se NATO mbështetë fuqishëm përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur zgjedhje politike për konfliktin në Siri. "Kjo është një urgjencë e madhe sa më parë", tha ai.
Stoltenberg në pyetjen nëse Turqia nuk ka ndarë plotësisht informata në lidhje me avionin e rrëzuar tha se "Turqia shpërndau shumë informata me NATO-n dhe aleatët". "NATO-ja u mblodh në një seancë të veçantë ku ambasadori i Turqisë në NATO i ndau të gjitha informatat dhe detajet. Edhe informatat që i morëm nga burimet tjera janë në përputhje me informatat që i morëm nga Turqia në lidhje me realizimin e ngjarjes", theksoi ai.
Stoltenberg tha se "ajo që e pamë javën e kaluar, nuk ishte shkelja e parë e avionëve rus mbi hapësirën ajrore turke".