Zülfiya Yakup
26 Maj 2016•Përditësim: 26 Maj 2016
PRISHTINË (AA) - Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Këshilli i Evropës kanë nisur sot një projekt të përbashkët për luftën kundër krimit ekonomik në Kosovë (PECK II), raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencë ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare, si dhe komuniteti i biznesit dhe ekspertëve, u theksua se projekti ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Thomas Gnocchi, shef i Departamentit për integrime politike, ekonomike në Zyrën e BE-së në Kosovë, vlerësoi se në Kosovë ka ligje të mira dhe strategji në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, por se mungon implementimi efikas i tyre. Megjithatë, konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme është përmirësuar ndjeshëm në vitin 2014 dhe 2015, tha Gnocchi.
"Ne mund ti dërgojmë sinjal të qartë shoqërisë kosovare se korrupsioni dhe pastrimi i parave janë kanceri i kësaj shoqërise. Korrupsioni dhe pastrimi i parave dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit e Kosovës janë ata që paguajnë. Kjo duhet të ndalet", tha Gnocchi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se qeveria dhe institucionet e Kosovës, si dhe qytetarët, janë përcaktuar drejt integrimit evropian dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, si dhe i ofrojnë mbështetje të plotë projektit për luftën kundër krimit ekonomik në Kosovë.
"Qeveria dhe institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës kanë bërë hapa të rëndësishëm dhe cilësor në drejtim të zhvillimit ekonomik, sundimin e ligjit, në drejtim të parandalimit të ekstremizmit radikal dhe në luftën kundër terrorizmit dhe këtë luftë ne e kemi bërë duke normalizuar marrëdhëniet me fqinjët tanë duke ndërtuar politikë të fqinjësisë së mirë", ka thënë Mustafa.
Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka thënë se institucionet e Kosovës janë të fokusuara në drejtim të zhvillimit të legjislacionit në përputhje me standardet evropiane, kompletimin e mekanizmave institucional dhe duke i dhënë prioritet lëndëve gjyqësore që kanë të bëjnë me fenomenet e lartpërmendura negative në shoqëri.
"Sigurisht se angazhimi në luftën kundër krimit ekonomik, terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të jetë edhe më e madhe. Në këtë drejtim, ne kemi formuar njësitin që do të luftojë ose zgjidh çështjet që kanë të bëjnë me investitorët e huaj dhe gjykatat komunale tani kanë bazë ligjore për raste të tilla", ka thënë Kuçi.
Njëkohësisht, Ivan Koedjikov, kreu i sektorit të luftës kundër krimit ekonomik në Këshillin e Evropës, ka thënë se përveç ligjeve të mira për luftën kundër korrupsionit është jashtëzakonisht e rëndësishme vullneti politik dhe mbështetja e opinionit ndaj këtij fenomeni negativ në shoqëri.