Ayhan Şimşek
26 Maj 2016•Përditësim: 27 Maj 2016
BERLIN (AA) – Tranzicioni i pushtetit në Damask duhet të jetë temë e diskutimit gjatë negociatave për zgjidhje politike të krizës së Sirisë, deklaroi të mërkurën ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë të përbashkët për mediat në Berlin me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, Steinmeier ngjalli shpresën për avancim të përpjekjeve të cilat do të ringjallnin negociatat politike mes opozitës siriane dhe regjimit.
“Nisja e bisedimeve për zgjidhje politike padyshim se përfshin edhe tranzicionin e pushtetit. Nga këtu periudha e ardhshme e negociatave do të vë theksin në organizimin e tranzicionit dhe hapat e parë që duhet bërë në këtë drejtim”, tha Steinmeier për të shtuar se përfshirja e grupeve opozitare në këto bisedime është diçka e kuptueshme.
Steinmeier tha se shpreson se Arabia Saudite do të inkurajojë grupet opozitare të arrijnë progres për zgjidhje politike.
Al-Jubeir nga ana e tij tha se ka pasur një takim konstruktiv me kolegun gjerman ku janë biseduar marrëdhëniet dypalëshe bashkë me konfliktet në rajon siç janë ai Sirisë, Libisë dhe Jemenit.