Bedrudin Brlyavac
17 Tetor 2015•Përditësim: 18 Tetor 2015
LJUBJANË (AA) - Rreth 600 refugjatë kanë mbërritur në qendrën kryesore të pranimit në kufirin midis Austrisë dhe Sllovenisë, pasi Hungaria mbrëmë mbylli kufirin jeshil me Kroacinë, raporton gazetari i Anadolu Agency (AA) nga vendi i ngjarjes.
Në qendrën e pranimit, e cila mund të pranojë 1.500 persona, aktualisht ndodhen rreth 600 refugjatë të cilët erdhën gjatë ditës duke pritur për të kaluar në Austri ku planifikojnë të kërkojnë strehim.
Në tre autobusët e parë që mbërritën sot ishin vetëm familjet në mesin e të cilëve kishte shumë fëmijë. Refugjatët dhe emigrantët të cilët ndodhen në qendrën e pranimit mund të marrin ushqim para nisjes drejt Austrisë.
Sipas informacioneve të fundit, bashkëpunimi ndërmjet policisë austriake dhe asaj sllovene është mjaft i mirë sa i përket çështjes së pranimit të refugjatëve.
Siç mëson gazetari i AA, pritet që të gjithë refugjatët nga qendra e pranimit në anën sllovene gjatë ditës të kalojnë në Austri.
Nga sot pritet valë e madhe e refugjatëve dhe emigrantëve në Slloveni pasi që Hungaria mbrëmë mbylli të ashtuquajturin kufirin jeshil me Kroacinë për të parandaluar valën e pakontrolluar të refugjatëve. Njëkohësisht, hungarezët do të shtrëngojnë masat e kalimit të kufirit në kalimet zyrtare kufitare me një shpjegim se po zbatojnë regjimin e Schengen-it
Hungarezët deri në mesnatë kanë lëshuar kontingjentin e fundit me refugjatë, dhe pastaj në orën 1:00 pas mesnate me tel me gjemba mbyllën kalimin e ngushtë të cilin e lanë pas ndërtimit të gardhit me tela. Mbyllja e kufirit jeshil do të pamundësojë kalimin ilegal të refugjatëve në Hungari.
Sipas plait të ri rreth të cilit u dakorduan pala kroate dhe ajo sllovene, refugjatët pas mbylljes së kufirit hungarez do të ridrejtohen në drejtim të Sllovenisë. Policia sllovene ka marrë përforcime në kufirin me Kroacinë, dhe qeveritë e të dy vendeve kanë rënë dakord për vendkalimet për refugjatët.