Agon Fehmiu
25 Mars 2016•Përditësim: 26 Mars 2016
PRISHTINË (AA) – Tri partitë opozitare kanë vendosur ta anulojnë protestën mbarëpopullore të paraparë për nesër, ka deklaruar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në konferencën e përbashkët me dy liderët tjerë të Vetëvendosjes dhe Nismës për Kosovën, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën urgjente për shtyp, të mbajtur në Sheshin Skënderbeu, Haradinaj tha se vendimi për shtyrjen e protestës për një datë të pacaktuar është marrë në pajtim me të gjitha partitë opozitare dhe për faktin që, Kosovën e presin ditë të vështira.
I shkurtër ka qenë edhe lideri i Nismës, Fatmir Limaj i cili vetëm porositi se, "opozita do të vazhdojë protestat deri në arritjen e kauzës së saj”, kurse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri nuk foli fare.
Fillimisht, pas publikimit të lajmit në mediet kosovare se “protesta e nesërme e opozitës po anulohet”, përmes një komunikate për media, Vetëvendosje ishte ajo që e para lajmëroi edhe për anulimin e konferencës së përbashkët, por nuk kishte dhënë shpjegime se përse është anuluar.
Megjithatë, nuk ka vonuar shumë dhe nga AAK-ja është dërguar një komunikatë tjetër urgjente ku thuhej se, lideri i AAK-së Haradinaj vetëm do të mbajë konferencë për media.
Në fund, para medieve u paraqitën të tre udhëheqësit opozitarë, ku Haradinaj dhe Limaj folën shumë shkurt, kurse ai i Vetëvendosjes, Ymeri nuk u prononcua.
Në pyetjen e gazetarëve nëse ka mospajtime dhe përçarje ndërmjet subjekteve të opozitës së bashkuar, asnjëri nga liderët nuk dha përgjigje.
Duhet theksuar se, dje në mënyrë të befasishme, Donika Kadaj-Bujupi ishte dorëhequr nga AAK-ja, ku kishte qenë aktive për 13 vite rresht.
Largimi i shefes së grupit parlamentar të AAK-së, ka lënë shumë pikëpyetje dhe dilema, ndërsa në reagimin e vet publik, AAK-ja shprehu keqardhje për këtë vendim personal të Kadaj-Bujupit.
AAK-ja në njoftimin ku thotë se Kadaj Bujupi e ka marrë vendimin duke u bazuar në arsyet e saj personale, ka shprehur mirënjohje për kontributin e saj të deritashëm në AAK dhe si deputete të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, duke i dëshiruar suksese në rrugëtimin e mëtejmë të saj.
Në fund të reagimit, AAK ka theksuar edhe faktin se vazhdon të jetë parti e parimeve demokratike dhe e vendimeve të forumeve të veta.
“AAK-ja është e ndërgjegjshme për situatën tejet të ndjeshme në vend, dhe si rrjedhojë shumë e kujdesshme në veprimet që merr, deri në arritjen e objektivit kryesor, që është ndryshimi që duhet të ndodhë”, thuhet në reagimin e këtij subjekti.