Amir Latif Arain
17 qershor 2026•Përditësim: 17 qershor 2026
Pakistani ka bërë të ditur se do të riatdhesojë rreth 30 marinarë iranianë, të cilët së fundmi u interceptuan nga autoritetet amerikane dhe u shpëtuan veçmas nga një anije britanike, transmeton Anadolu.
Ky vendim u njoftua nga ministri pakistanez i Punëve të Jashtme, Ishaq Dar, në një postim në rrjetin social amerikan X.
Bëhet fjalë për tetë peshkatarë iranianë të shpëtuar në det nga një anije britanike pasi mjeti i tyre lundrues kishte ngecur si dhe për 22 anëtarë të ekuipazhit të anijes iraniane "Lenore/Davina", e cila u interceptua së fundmi nga autoritetet amerikane.
Të dy grupet pritet të kalojnë nëpër Karaçi në “ditët në vijim”.
Ky zhvillim vjen teksa SHBA-ja dhe Irani pritet të nënshkruajnë të premten në Zvicër një memorandum mirëkuptimi për t’i dhënë fund luftës disamujore mes tyre. "Ne mbetemi në koordinim të ngushtë me autoritetet iraniane, amerikane dhe britanike për të siguruar tranzitin e sigurt dhe kthimin sa më të shpejtë të vëllezërve tanë iranianë në atdheun e tyre", tha Dar.
Ai theksoi se Pakistani mbetet i përkushtuar ndaj bashkëpunimit humanitar dhe për të ofruar çdo ndihmë të mundshme për “vëllezërit tanë iranianë”. Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit njoftoi se Dar gjithashtu zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty.
"Dy ministrat shkëmbyen pikëpamje mbi mirëkuptimet e fundit të arritura mes SHBA-së dhe Iranit dhe mbi nënshkrimin e ardhshëm të memorandumit të mirëkuptimit në Burgenstock të Zvicrës, të premten", tha ministria pakistaneze
"Ata diskutuan mbi përgatitjet për takimin e ardhshëm të katër ministrave të Jashtëm të rajonit, i cili do të mbahet më vonë gjatë këtij muaji, dhe ranë dakord të mbeten në kontakt të ngushtë", shtohet më tej.