Fatjon Cuka,Malik Hasa
12 Korrik 2016•Përditësim: 13 Korrik 2016
TIRANË (AA) - Partia Socialiste e Shqipërisë me anë të një ceremonie organizuar në Tiranë ka shënuar sot 25-vjetorin e themelimet të saj, ku ishin të pranishëm personalitete të larta të politikës dhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, raporton Anadolu Agency (AA).
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile, diplomatë dhe shumë të ftuar të tjerë.
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në fjalën e tij përshëndetëse ka shprehur falënderimet për gjithë themeluesit e partisë që ai drejton. Ai ka pohuar se nga PS ai ka mësuar shumë, duke e konsideruar drejtimin e saj si një përvojë, por dhe një shkollë. "Kam bindjen që duhet akoma punë për të bërë për të mirën e popullit", ka theksuar Rama në fjalën përshëndetëse.
Pas fjalimit të Ramës është shfaqur një material filmik që tregonte aktivitetin politik të kësaj force politike në vite.
Partia Socialiste e Shqipërisë është forca kryesore politike ne koalicionin qeverisës të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa pjesë e tij është edhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim e drejtuar nga kryeparlamentari Ilir Meta.
Zyrtarisht data e themelimit të Partisë Socialiste është më 12 qershor, por drejtuesit e saj kishin vendosur për organizmin sot të ceremonisë që shënon 25-vjetorin e themelimit.