Sibel Vezaj
31 Tetor 2016•Përditësim: 01 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA)- Pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Trepçën, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se ka nënshkruar këtë ligj, të miratuar javë më parë nga Kuvendi i Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi, në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se ligji i ri mundëson ristrukturimin e Trepçës dhe është në funksion të ngritjes së mirëqenies sociale për banorët e asaj ane dhe tërë Kosovës.
“Sapo nënshkrova Ligjin për Trepçën, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kosova është vendburim i minierave e mineraleve të shumta, por Trepça si pasuri nacionale vazhdon të mbetet e rëndësisë strategjike për ne. Ligji i ri mundëson ristrukturimin e Trepçës dhe është në funksion të ngritjes së mirëqenies sociale për banorët e asaj ane dhe tërë Kosovës. Minatorëve u jemi përgjithmonë mirënjohës, sepse me punën dhe sakrificën e tyre e mbajtën gjallë këtë gjigant të ekonomisë sonë”, ka shkruar Presidenti Thaçi.
Pas disa ditëve të miratimit të këtij ligji, Lista Serbe kishte dorëzuar ankesën e saj tek Gjykata Kushtetuese, duke pretenduar se ky ligj ka shkelur disa procedura të cilat duhet të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Kurse sot Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin se Ligji për Trepçën është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe se kërkesa e Listës Serbe nuk ka baza kushtetuese.
Në bazë të këtij ligji, Qeveria e Kosovës do të ketë 80 për qind të askionëve të ndërmarrjes Trepça, ndërsa 20 për qind të tyre do të kenë punëtorët e saj.