Kristina Maslareviç
16 Mars 2016•Përditësim: 16 Mars 2016
BEOGRAD (AA) – Princi Charles dhe Dukesha e Cornwall Camilla në kuadër të turit të tyre ballkanik arritën në Beograd, ku në aeroportin "Nikola Tesla", u pritën nga kryeministri serb, Aleksander Vuçiç. Në fillim të vizitës dy-ditore në Serbi, do të priten nga presidenti i vendit, Tomislav Nikoliç dhe gruaja e tij Dragica, raporton Anadolu Agency (AA).
Princi Charles së bashku me Nikoliç-in, pas takimit, do të vendosin kurora në përmendoren e Mbrojtësve të Beogradit, në varrezat e Reja, dhe pastaj do të marrë pjesë në ceremoninë në varrezat ushtarake të Commonwealth-it, pas së cilës do të vizitojnë Kalanë e Kalemegdanit në Beograd.
Pas pjesëmarrjes në dialogun ndërfetar mes përfaqësueseve të krishterë, muslimanë dhe komunitetit hebraik në Serbi, Princi Charles do të takohet me patriarkun Irinej të Kishës Ortodokse Serbe dhe do të vizitojë Tempullin e Shën Savës.
Dukesha do të vizitojë shtëpinë e fëmijëve pa përkujdesje, ku do të takohet me përfaqësues të UNICEF-it dhe Fondacionit "Novak Gjokoviç".
Në orët e pasdites në ditën e parë të vizitës në Serbi, Princi Charles dhe dukesha Camilla do të vizitojnë Princin Aleksandër Karagjorgjeviç dhe Princeshën Katarina, dhe pastaj do të jenë mysafirë në darkën me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç.
Në ditën e dytë të vizitës së tyre në Serbi, Charles dhe Camilla do të shkojë në Novi Sad, ku do të vizitojnë portën katolike, ku do të zbulohet pllaka përkujtimore e punëtorëve humanitarë britanikë.
Në Karlovc, Dukesha Camilla do të vizitojë Muzeun e Bletarisë, dhe pas kthimit të tyre në Beograd, do të jenë të ftuar në Asamblenë Kombëtare të Serbisë, ku Princi Charles do tu drejtohet deputetëve. Fjalimi i tij në Asamblenë Kombëtare të Serbisë, njëherësh është edhe paraqitja e tij publike e parashikuar sipas protokollit të turit rajonal, ku pas Kroacisë dhe Serbisë do të vizitojë Kosovën dhe Malin e Zi.
Princi i Uellsit për herë të parë dhe të vetme deri më tani kishte vizituar Beogradin në vitin 1978, kur vizitoi RSF të Jugosllavisë, si vendi i parë komunist në të cilën ai kishte shkuar ndonjëherë.