Bekim Laci
02 Mars 2016•Përditësim: 02 Mars 2016
SHKUP (AA) - Prokuroria Publike për ndjekje të veprave penale të cilat dalin nga përmbajtja e përgjimeve joligjore të komunikimeve informon opinionin se është kërkuar shtyrje e seancës kryesore për rastin Puç, raporton Anadolu Agency (AA).
Prokuroria Speciale informon opinionin se përkundër kërkesës për të marrë një kopje nga të gjitha dëshmitë të nevojshme që Prokuroria Publike të mund të përfshihet në debatin kryesor, deri më sot gjyqi nuk ka vepruar në këtë kërkesë.
“I bëjmë me dije opinionit se për të marrë pjesë në debatin kryesor është patjetër të posedojmë prova në bazë të të cilave do të bëjmë fjalimet hyrëse dhe të cilat to të mund t'ua parashtrojmë të akuzuarve”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Speciale, ku sqarohet se parimi i akuzës dhe legalitetit të procesit parashohin që prokurori publik të posedojë provat në bazë të të cilave është përpiluar akuza.
“Nga ky shkak fitohet përshtypja se gjyqi bën obstruksion të punës së Prokurorisë Publike duke zvarritur procedurën penale dhe duke i pamundësuar kësaj prokurorie Publike të futet në debatin kryesor” thuhet më tej në njoftim.
Prokuroria Speciale informon se Gjykata Themelore Shkupi 1, i bënë obstruksione kësaj prokurorie edhe për lëndët tjera gjyqësore për të cilat prokuroria ka kërkuar që t'u vihen në dispozicion materialet.
"Duke pas parasysh këto rrethana dhe pengesat me të cilat në vazhdimësi po përballet Prokuroria Publike (Speciale) nga ana jonë propozohen ndryshime në Kodin Penal dhe vendosje të veprës së re penale, 'Pengimi i drejtësisë'", thuhet në njoftim.
Seanca gjyqësore për rastin Puç është caktuar më 3 maj.
Ndryshe për rastin Puç, akuzohet kreu i opozitës maqedonase, Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev dhe tre persona të tjerë me akuzën për dhunim të institucioneve më të larta shtetërore se kanë përgatitur grusht shteti ndaj qeverisë ligjore në Maqedoni.