Agon Fehmiu
04 Mars 2016•Përditësim: 04 Mars 2016
PRISHTINË (AA) – Liderët e tri partive të opozitës së bashkuar kosovare, sot kanë publikuar vendimin e tyre që protesta e ardhshme mbarëpopullore për kërkesat e tyre, për anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin, si dhe për largimin e Qeverisë aktuale, do të mbahet më 26 mars, në sheshin "Skënderbeu", para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë vendim, Visar Ymeri, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, kryetari i Nismës për Kosovën, e kanë bërë publik gjatë konferencës së përbashkët për mediat, të mbajtur pikërisht në vendin ku edhe do të mbahet protesta.
Gjatë këtij adresimi të tre liderëve, kreu Vetëvendosjes, Visar Ymeri foli edhe për procesin e votimit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Ai theksoi se gjatë atij procesi ka pasur shumë shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit.
Më tej, Ymeri tregoi se përfaqësuesit e partive opozitare, gjatë ditës së sotme, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Presidentit, proces ky të cilin opozita e konsideron “jo legjitim dhe me shumë parregullsi”.
Gjatë adresimit publik, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar qytetarët e vendit që t’i bashkohen opozitës më 26 mars, siç tha ai për t’i detyruar Thaçin dhe Mustafën që t’i japin fund koalicionit aktual qeverisës. Ndërsa lideri i Nismës, Fatmir Limaj deklaroi se zgjidhja e vetme për daljen nga kriza aktuale politike është caktimi i zgjedhjeve të parakohshme, pasi që, sipas tij, pushteti aktual ka shkelur Kushtetutën, jo vetëm me dy marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, por së fundit edhe gjatë procesit të zgjedhjes së Hashim Thaçit për President të ardhshëm të Kosovës.