Rabia İclal Turan
09 Gusht 2022•Përditësim: 10 Gusht 2022
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se rezidenca e tij në klubin Mar-a-Lago në Florida u bastis nga FBI-ja të hënën, duke e bërë atë të reagojë ashpër ndaj këtij veprimi që ai e quajti “sulm” të paprecedentë, duke akuzuar kundërshtarët e tij politikë për përdorim të sistemit të drejtësisë si armë.
Por pse FBI kontrolloi shtëpinë e Trump-it në Florida, madje duke shkuar aq larg sa thuhet se hapi një nga kasafortat e tij? Cilat janë akuzat me të cilat përballet ish-presidenti amerikan?
FBI dhe Departamenti i Drejtësisë deri më tani kanë refuzuar të komentojnë mbi bastisjen, por disa raste kundër Trump-it tashmë janë raportuar gjerësisht, duke përfshirë keqpërdorimin e tij të dyshuar dhe marrjen e paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara dhe zyrtare.
Shumë media amerikane raportuan se bastisja dukej se ishte e fokusuar në materiale si kuti me dokumente të klasifikuara që Trump i ka sjellë me vete në Mar-a-Lago kur u largua nga Shtëpia e Bardhë janarin e kaluar, apo edhe para përfundimit të mandatit të tij.
CNN citoi tre persona të njohur me situatën të kenë thënë se urdhri i kërkimit i FBI-së ishte pjesë e një hetimi për “trajtimin e dokumenteve presidenciale, përfshirë dokumentet e klasifikuara”.
New York Times citoi gjithashtu “shumë njerëz të njohur me hetimin” të kenë thënë se kërkimi u fokusua në materialin që Trump solli në klubin privat Mar-a-Lago kur u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Eric Trump, një nga djemtë e e ish-presidentit, tha për Fox News se kërkimi i FBI-së lidhej me dokumentet e marra nga Shtëpia e Bardhë.
“Qëllimi i bastisjes ishte, nga sa thanë ata, sepse Arkivi Kombëtar donte të vërtetonte nëse Donald Trump kishte apo jo ndonjë dokument në posedim të tij”, tha Eric Trump.
Ish-presidenti amerikan aktualisht po përballet me disa hetime dhe padi, duke përfshirë mungesën e regjistrave të Shtëpisë së Bardhë dhe sulmin e 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit të SHBA-së.
Arkivi Kombëtar i SHBA-së
Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrave e SHBA-së këtë janar mori 15 kuti me dokumente të Shtëpisë së Bardhë nga rezidenca e Trump-it në Mar-a-Lago, të cilat duhej t’i ishin dorëzuar agjencisë kur ai u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Më vonë ajo njoftoi Kongresin Amerikan se kutitë përmbanin “artikuj të shënuar si informacion i klasifikuar i sigurisë kombëtare”.
“Përfaqësuesit e ish-presidentit Trump kanë informuar NARA-n se po vazhdojnë të kërkojnë për regjistra shtesë presidenciale që u përkasin Arkivave Kombëtare”, tha Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrave (NARA) në një deklaratë në shkurt.
Në shkurt, ish-ndihmësit e Trump-it thanë për disa media amerikane, si The Washington Post, se kutitë përmbanin “kujtime, dhurata, letra nga liderët botërorë dhe korrespondenca të tjera”, duke mohuar çdo “qëllim të mbrapshtë”.
Sipas Akteve të Regjistrave Presidencialë, të cilat Kongresi i miratoi në vitin 1978 pas skandalit Watergate të presidentit Richard Nixon, të gjitha të regjistrat presidencialë janë pronë publike dhe do t’i dorëzohen Arkivit Kombëtar pas përfundimit të mandatit të presidentit.
Kërkimi nuk do të thotë se Trump po akuzohet për kryerjen e një krimi.
Për të kryer bastisjen e së hënës, FBI-së i është dashur të bindë një gjyqtar se ata kishin arsye të mundshme që Trump kishte marrë në mënyrë të paligjshme dokumente zyrtare dhe për më tepër se nuk kishte gjasa që ish-presidenti t’i kishte dorëzuar vetë dokumentet, me dëshirë. Më pas gjykatësi do të lëshonte një urdhër.
Është gjithashtu pothuajse e sigurt se udhëheqësit e lartë në Departamentin e Drejtësisë, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland, duhet të kenë miratuar kontrollin e rezidencës së një ish-presidenti, të paprecedentë në historinë e SHBA-së.
Për më tepër, edhe nëse kontrolli ishte autorizuar bazuar në keqpërdorimin e supozuar të dokumenteve zyrtare, nëse kanë dalë prova gjatë kontrollit në lidhje me rastet e tjera që lidhen me Trump-in – si sulmi i 6 janarit ose skema e “zgjedhësve të rremë” për të dhënë në mënyrë të paligjshme vota për Trump-in nga shtetet që ai nuk i fitoi –ato prova mund të mblidhen dhe të përdoren nga prokurorët që ndjekin rastet e tjera.