Fatjon Cuka
30 Dhjetor 2015•Përditësim: 30 Dhjetor 2015
TIRANË (AA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur sot në selinë e Këshillit të Ministrave konferencën e fundit për mediat për këtë vit, ku ai është ndalur në rezultatet e qeverisë për vitin 2015, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për zhvillimet kryesore që kanë karakterizuar disa sektorë në vend, Kryeministri Rama ka pohuar se Shqipëria është sot në kushtet ku ka hyrë në një fazë të ndërmjetme të projektit të qeverisë për reformat shtetndërtuese, dhe të transformimit të sektorëve të jetës së vendit.
“Duke e nisur me ekonominë, që është edhe pjesa që ju intereson drejtpërdrejtë dhe më shumë të gjithëve, por që është edhe pjesa më e vështirë pasi ndërthur brenda të gjithë komponentët e tjerë, dua të them se kemi realizuar objektivin për të vazhduar rritjen e vazhdueshme dhe jemi besimplotë se viti i ardhshëm do të jetë viti i një kapërcimi përtej 3 përqind të rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, pikërisht sepse jemi në një proces ku reformat kanë filluar të japin rezultate, ia kemi dalë të zerojmë taksën për 83500 biznese të vogla me xhiro vjetore deri në 50 milionë lekë, si dhe të përgjysmojmë taksën për 15 900 biznese të tjera me xhiro vjetore 50-80 milionë lekë, rezultat i drejtpërdrejtë i operacionit kundër informalitetit, që na ka dhënë arsye shumë të forta për të qenë të inkurajuar fuqimisht në vazhdimin e këtij procesi shtetndërtues”- u shpreh Rama.
Kryeministri i Shqipërisë ka theksuar se vitin e ardhshëm fillon shërbimi shëndetësor falas tek mjeku i familjes. “Nuk do të ketë më asnjë tarifë, asnjë pagesë për mjekun e familjes. Bazuar tek projekti ynë i madh kombëtar i check-up-it falas për 870 mijë qytetarë të moshës 40-65 vjeç që e përfitojnë këtë kontroll shëndetësor çdo vit, ne iu kemi kursyer qytetarëve 45 milionë dollarë”- u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare është ndalur gjithashtu edhe në rezultatet për sektorë të tjerë që i përkasin, arsimit, rendit dhe sigurisë publike, etj.