Malik Hasa
03 Mars 2017•Përditësim: 04 Mars 2017
TIRANË (AA) - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, gjatë vizitës së saj në Tiranë ka takuar drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, si Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, si dhe liderin e opozitës dhe njëkohësisht kreun e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, raporton Anadolu Agency (AA).
Në përfundim të takimeve të saj, Mogherini, ka mbajtur një deklaratë të përbashkët me kryeministrin Rama në selinë e Këshillit të Ministrave.
Rama theksoi se kjo vizitë është e rëndësishme, pasi sipas tij është e rëndësishme prania e partnereve strategjikë të Shqipërisë. "Patëm një bashkëbisedim miqësor dhe konkret. Jemi në një mendje që puna për pesë prioritetet kyçe duhet të vazhdojnë intensivisht. Padyshim prekëm edhe çështje të natyrës rajonale."
Mogherini gjatë fjalës së saj u shpreh se dera e BE-së është e hapur për Shqipërinë.
"Shqipëria ka arritur shumë, në veçanti sa i përket miratimit unanim të reformës në drejtësi, që është një reformë e madhe dhe rëndësia e madhe e saj është njohur nga BE. Jemi të gatshëm të shikojmë ritmin e kësaj reforme. Ata që përpiqen të ulin ritmin e reformave e rrezikojnë integrimin. BE është e gatshme që të jetë serioze në hapjen e negociatave. Vendi ka mundësi të ecë përpara në rrugën drejt BE-së. Dera e BE-së është e hapur për Shqipërinë. Negociatat mund të fillojnë në momentin që reforma në drejtësi do të fillojë të zbatohet. Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në rajon", theksoi Mogherini.
Duke iu referuar bojkotit të opozitës, zyrtarja e BE-së ka theksuar ndër të tjera se debati mes forcave politike duhet të zhvillohet në Kuvend.

Nërsa gjatë takimit që ka patur me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Presidenti Nishani ka theksuar se reforma në drejtësi është e lidhur ngushtë edhe me reforma të tjera si ajo zgjedhore dhe dekriminalizimin e institucioneve dhe administratës publike.
"Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në rajon, Presidenti Nishani garantoi se Shqipëria nuk ndërhyn në punët e brendshme të asnjë vendi tjetër, dhe se do të vazhdojë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ai shprehu shqetësimin e përdorimit të një gjuhe armiqësore ndaj shqiptarëve në Maqedoni për qëllime që lidhen me garën politike në vend. Presidenti theksoi se Platforma e partive shqiptare në Maqedoni është produkt i vetë këtyre partive, të cilin Shqipëria e mbështet duke e parë në frymën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke mbështetur gjithherë bashkëjetesën si qytetarë të barabartë ndërmjet të gjitha etnive atje, ashtu sikurse ndjekim parimin marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë", ka theksuar Nishani, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Mogherini dhe shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, kanë zhvilluar një takim me studentët e Erasmus+ në Tiranë.