Agon Fehmiu
27 Tetor 2015•Përditësim: 28 Tetor 2015
PRISHTINË (AA) – Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të mbajtur sot, përsëri pa prezencën e shefave të grupeve parlamentare të opozitës, është vendosur që seanca e ardhshme plenare të mbahet të hënën, më 2 nëntor, me fillim nga ora 10:00. Gjatë kësaj mbledhjeje, shefat e grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-s, Listës Serbe dhe Grupit 6+, prezent në këtë takim, insistuan që puna e Kuvendit të vazhdoi në mënyrë normale dhe njëherësh, kanë kërkuar nga organet e sigurisë që të ofrojnë siguri për deputetët, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në konferencën për medie menjëherë pas mbledhjes, fillimisht foli për efektet negative të situatës së krijuar në Kuvend, duke akuzuar opozitën se me sjelljet e veta po iu pamundëson mysafirëve të lartë që po vijnë në Kosovë, t’i drejtohen Kuvendit, siç është rasti me presidentit austriak, Heiny Fischer, dhe jo vetëm.
“Me keqardhje iu informojë se presidenti austriak nuk do t’i adresohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një situatë të tillë. Në fillim të muajit të ardhshëm, do të duhet edhe komisioneri Hahn, në veçanti pasi ka rëndësi në procesin e zgjerimit dhe të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, ka kërkuar t’i adresohet Kuvendit dhe do ta shohim se çfarë do të ndodh”, deklaroi Veseli.
Ai shprehi gatishmërinë dhe vendosmërinë e grupeve parlamentare të pozitës për të vazhduar punën por, njëkohësisht shprehi shqetësim njerëzor, jetësor dhe politik, për mungesën e kushteve për punë brenda seancës plenare.
Sipas Veselit, deputetët në Kuvend janë duke u ballafaquar me shumë gjëra që, jo vetëm janë të papëlqyeshme dhe të pahijshme por, edhe rrezikojnë edhe jetën e deputetëve
“Deri tani në Kuvendin e Kosovës janë përdorur vezë, gaz lotsjellës, gjësende të forta, fyerje, ujë dhe të njëjtën kohë ka dyshime se ka ndikim edhe të alkoolit dhe të drogës. Gjitha këto i keni dëgjuar edhe vet. Është një gjendje e cila me të vërtet i ka shqetësuar deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentari Veseli dhe përcolli porosinë e të gjithë shefave të grupeve parlamentare që ishin në mbledhjen e sotme se, pavarësisht nga rrethanat, ata janë të vendosur që të vazhdojnë me punën e Kuvendit të Kosovës dhe funksionimin e gjitha institucioneve shtetërore.
Lidhur me veprimet për krijimin e kushteve normale të punës së Kuvendit, në të ardhmen, në rast se opozita përsërit veprimet e saja, kryetari Veseli tha se ai do ta respekton Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe ftoi deputetët të sillen konformë rregullores, duke dhënë shembull qytetarëve.
“Ne nuk jemi boksierë, ne nuk jemi mundës, ne nuk kemi ardhur të demonstrojmë forcën brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, kjo është edhe arsyeja pse është duke humbur durimi i një pjese të deputetëve, siç u deklaruan edhe shefat e grupeve parlamentare”, tha Veseli.
Me këtë rast, ai kërkoj nga institucionet përgjegjëse të cilat e kanë me obligim ligjor dhe kushtetues këtë çështje, t’i krijojnë kushtet për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit sepse, siç tha Veseli, përgjegjësin për çdo gjë çfarë ka ndodhur deri tash, në Kuvendin e Kosovës, padrejtësisht e kanë mbajtur Kuvendi dhe deputetët.
Për këtë, ai ka kritikuar punën e sigurimit të Kuvendit i cili ka lejuar futjen e gjësendeve që janë përdorur brenda në sallë.
“Kanë përgjegjësi gjithë ata zyrtarë që pretendojnë t’i mbajnë postet përgjegjëse në institucionet përgjegjëse, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me sigurinë në Kuvendin e Kosovës, ndryshe është mirë t’iu lëshojnë atyre që janë më të gatshëm me marr përgjegjësi” ka thënë Veseli.
Në fund, ai theksoi se, me gjithë hezitimin për të kërkuar intervenimin e sigurimit policor për të krijuar kushtet për punë në Kuvend, në fund Kryesia ka qenë e detyruar në atë hap.
Por, në momentin kur ka kërkuar atë, intervenimi nuk ka qenë në nivel dhe ka ndodhur ajo çfarë ka ndodhur, përfundoi kryeparlamentari Veseli.