Fatjon Cuka
01 Prill 2019•Përditësim: 02 Prill 2019
Komisioni për Integrimin Evropian i Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi një seancë dëgjimore me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mbi prioritetet e reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja Gjonaj tha se që prej vitit 2018, Shqipëria ka thelluar ritmin e procesit të reformës në institucionet e sistemit të drejtësisë dhe ka konsoliduar sipas saj përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe për integrimin në Bashkimin Evropian (BE).
"Reforma në drejtësi është instrumenti kryesor që shtyn përpara ecurinë e reformave të tjera veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe atë kundër krimit të organizuar. Disa nga arritjet për sa i përket sistemit gjyqësor dhe reformës në drejtësi janë që në dhjetor të vitit 2018, u ngritën Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe sot kanë kryer një sërë procesesh lidhur me pjesën e funksionimit të tyre. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i zgjedhur nga Kuvendi, ka filluar nga funksionimi që në janar të vitit 2019", tha Gjonaj.
Në lidhje me luftën kundër korrupsionit ajo tha se Ministria e Drejtësisë ka marrë një sërë masash që lidhen me miratimin e planit të veprimit nga Qeveria e Shqipërisë për parandalimin e korrupsionit.
"Risia që solli ky plan për vitin 2018, ishte se u ul numri i masave dhe u përfshinë ato institucione që kishin një efektshmëri më të lartë për parandalimin e korrupsionit", theksoi Gjonaj.
Me reformën në sistemin e drejtësisë në vend janë krijuar disa institucione të reja si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe institucione të tjera.