"Holanda mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë"
Grapperhaus dhe ministrja Gjonaj, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve, procesin e reformës në drejtësisë dhe mbështetjen e Holandës për integrimin evropian të ShqipërisëFatjon Cuka
28 Mars 2019•Përditësim: 28 Mars 2019
TiranëMinistri holandez i Drejtësisë dhe Sigurisë, Ferdinand Grapperhaus, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ku është takuar me homologen e tij Etilda Gjonaj dhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Grapperhaus dhe ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjonaj, pas takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve, procesin e reformës në institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe mbështetjen e Holandës për integrimin evropian të vendit.
Ministrja Gjonaj ka theksuar se me homologun e saj ka diskutuar për disa çështje, sidomos mbi forcimin e shtetit të së drejtës dhe rëndësinë e një sistemi drejtësie të konsoliduar për Shqipërinë.
“Prioritet kyç i Ministrisë së Drejtësisë dhe i gjithë Qeverisë është dhe lufta kundër korrupsionit si një ndër 5 prioritet e Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave, por dhe një nga sfidat kryesore për progresin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë”, ka deklaruar Gjonaj, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ajo është shprehur se reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë vendimtare të zbatimit të saj.
Ndërsa ministri holandez Grapperhaus, tha se procesi i reformës në drejtësi, që ka ndërmarrë Shqipëria, është kyç, sepse sipas tij, do ta bëjë Shqipërinë një vend më të sigurt e më të mirë.
“Hapa shumë të rëndësishëm janë ndërmarrë gjatë viteve të fundit, ne e ndjekim këtë ecuri gjatë gjithë kohës, ku institucionet e reja të drejtësisë po formohen. Holanda mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe unë do ta inkurajoj Shqipërinë që të vazhdojë të tregojë rezultate të prekshme dhe të vazhdueshme”, ka theksuar gjatë konferencës Grapperhaus.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe protesta e partive opozitare, Grapperhaus, ka bërë thirrje që të organizohen protesta paqësore, ndërsa ka shtuar se dalja nga Kuvendi nuk është mënyra për të zgjidhur problemet politike dhe sipas tij shkon kundër parimeve demokratike.