Fatjon Cuka
02 Dhjetor 2015•Përditësim: 02 Dhjetor 2015
TIRANË (AA) - Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përshëndet Malin e Zi për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, ftesë që u miratua sot gjatë ditës së dytë të punimeve në Bruksel të Ministerialit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA). .
“Shqipëria ka qenë dhe mbetet një promotore e fortë e politikës së dyerve të hapura të Aleancës, pasi integrimi Euro-Atlantik, është një vizion për një komunitet më të sigurtë dhe të qëndrueshëm trans-atlantik” thuhet në njoftimin zyrtar të këtij dikasteri.
Ministria e Punëve të Jashtme shpreh gjithashtu bindjen se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ka një rëndësi gjeostrategjike, jo vetëm për Aleancën, por gjithashtu për të gjithë rajonin, pasi konsolidon arkitekturën e sigurisë në hapësirën e Evropës Adriatike.
Kujtojmë se ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë marrë vendimin që ti dërgojnë ftesë Malit të Zi për anëtarësim të plotë në aleancë.
Zgjerimi i fundit i aleancës Veri-Atlantike ndodhi në vitin 2009, atëherë kur u pranuan Shqipëria dhe Kroacia.