Şerife Çetin
13 Korrik 2017•Përditësim: 14 Korrik 2017
BRUKSEL (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg sot në Bruksel deklaroi se në lidhje me situatën në Krime dhe në Ukrainën lindore ende ka mosmarrëveshje serioze midis NATO-s dhe Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Stoltenberg po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve pas takimit të Këshillit NATO-Rusi, me të cilin kryesonte.
Me këtë rast, theksoi se ndonjëherë do të jetë e vështirë që të arrihet dialog mes Rusisë dhe NATO-s, për siç tha, në momentet e tensioneve të larta nevojitet të mbahen hapur kanalet e komunikimit.
Stoltenberg me këtë rast tha se gjatë takimit është diskutuar rreth situatës në Ukrainë dhe Afganistan.
"Në kontekstin e Ukrainës ka dallime serioze midis NATO-s dhe Rusisë. Krimea dhe Ukraina lindore janë tema për të cilat nuk kemi marrëveshje. Në rajonet ku po zhvillohen konfliktet ende ka armë të rënda", tha Stoltenberg.
Ai shtoi se marrëveshja nga Minsku është alternativa më e mirë për zgjidhjen e konfliktit, por se duhet të zbatohet plotësisht dhe të jetë nën mbikëqyrjen e Organizatës Evropiane për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE).
Sa i përket situatës në Afganistan, Stoltenberg theksoi se NATO dhe Rusia kanë interes të përbashkët për t'i dhënë mbështetje qeverisë së unitetit kombëtar në këtë vend.
"Një Afganistan i qëndrueshëm është jetik për sigurinë e të gjithë rajonit", tha Stoltenberg.