Agon Fehmiu
19 Tetor 2015•Përditësim: 19 Tetor 2015
PRISHTINË (AA) – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot ka propozuar që mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e paraparë që të mbahej sot, të shtyhet për nesër, raporton Anadolu Agency (AA).
Shtyrja është bërë pasi që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot ka filluar takimet me partitë politike parlamentare dhe përfaqësuesit e tyre, me qëllim të nisjen e një dialogu ndërmjet opozitës dhe pozitës, për gjetjen e mënyrës së daljes nga kriza aktuale politike në vend.
Kryeparlamentari Veseli, para fillimit të mbledhjes, bisedoi me nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare, duke i njoftuar me iniciativën e presidentes, Jahjaga, për takime me drejtuesit institucionalë dhe politikë, rrjedhimisht, duke pritur zhvillimin e këtyre takimeve, kryetari Veseli propozoi që mbledhja të shtyhet për nesër. Ky propozim u përkrah njëzëri.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot, është shtyrë për nesër, në ora 11:00, thuhet në njoftimin e Kuvendit.