Bekim Laci
01 Shkurt 2016•Përditësim: 02 Shkurt 2016
SHKUP (AA) - Diplomatët të punësuar në ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, sot kanë shprehur pakënaqësinë e tyre rreth ligjit për marrëdhënie të jashtme, ai i vitit 2008, raporton Anadolu Agency.
Në mënyrë simbolike në orën 12:05 diplomatët lëshuan vendet e tyre të punës dhe para godinës së ministrisë kërkuan nga autoritetet që ligji kontestues të pezullohet dhe të kthehet teksti origjinal i Ligjit për Marrëdhënie të Jashtme nga viti 2006.
Nënkryetari i sindikatës, Rexhep Saliu tha se punonjësit ka një kohë të gjatë që alarmojnë për vështirësitë me të cilat përballet diplomacia në Maqedoni.
“Këtë që e kemi bërë, është marrë si veprim pas një durimi shumë të gjatë, pasi institucionet përgjegjëse për shërbimet diplomatike nuk dëgjuan kërkesat tona, sidomos institucioni amë, ministria e Punëve të Jashtme” deklaroi Saliu. Ai ka shtuar se gjithnjë e më shumë po bëhet anashkalimi i strukturave profesionale në diplomaci dhe po instalohen struktura partiake.
“Qëllimi kryesor i kësaj është profesionalizimi dhe departizimi i diplomacisë. Dhimbja është akoma më e madhe në 10 vitet e fundit sepse është bërë rrënimi i ministrisë së Jashtme”.
Nga sindikata shtojnë se miratimi i ndryshimeve të fundit në ligjin për punë të jashtme në dhjetor të vitit 2015 ka shërbyer në masë të madhe për mungesën e profesionalizimit të diplomacisë që në masë të madhe do të reflektojë negativisht mbi diplomacinë dhe administratën e saj.