Bekim Laci
04 Mars 2016•Përditësim: 05 Mars 2016
SHKUP (AA) - Ministri i Drejtësisë të Maqedonisë, Adnan Jashari, sot realizoi takim pune me zëvendës ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Hoyt Brian Yee dhe JD Waterman oficer politik, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftojnë nga kabineti i ministrit Jashari, në këtë takim u bisedua për situatën e përgjithshme ne vend dhe për reformat në sferën gjyqësorit. Ministri Jashari u shpreh se “theksi i reformave përfshiu aktivitete për përforcimin e gjyqësisë në raport me degët e tjera të pushtetit, përforcimin e planifikimit strategjik, avancimin e pavarësisë, efikasitetin dhe transparencën e sistemit të tërësishëm gjyqësor”.
Në Republikën e Maqedonisë, ka thënë Jashari, në vijim janë reformat që janë të drejtuara kah ndërtimi i sistemit bashkëkohor i të drejtës penale, gjyqësi të pavarur dhe efikase, lufta e pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar që janë kahet kryesore në reformat e gjyqësorit.
Qëllimet themelore janë qeverisja e së drejtës, rritja e efikasitetit të sistemit të gjyqësorit, mbrojtja e të drejtave të qytetarëve, procedim i shpejtë dhe efikas, pengimi i keqpërdorimit të të drejtave dhe mundësive për korrupsion, si dhe respektimin e etikës profesionale dhe mbindërtimin e standardeve evropiane.