Fatjon Cuka
07 Prill 2016•Përditësim: 07 Prill 2016
TIRANË (AA) – Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë, është përfshirë nga tensionet dhe fyerjet mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, raporton Anadolu Agency (AA).
Tensionet në sallën e seancave plenare janë rritur gjatë kohës që po fliste deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Erion Braçe. Gjatë kësaj kohë Braçe ka shkëmbyer replika dhe fyerje me ish-kryeministrin dhe deputetin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.
Teksa deputeti Braçe po fliste deputetë të Partisë Demokratike janë afruar pranë tij në foltore, ndërsa më pas kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka ndërprerë seancën për disa minuta. Edhe pas rivazhdimit seanca është ndërprerë përsëri.
Kuvendi ka në rend të ditës sot disa projektligje që priten të miratohen, pas diskutimit të deputetëve, si projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për ngritjen e Qendrës së Ekselencës në Financë (CEF), bërë në Bled, më 3.9.2013”, etj.