Zülfiya Yakup
28 Dhjetor 2018•Përditësim: 29 Dhjetor 2018
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkroi sot pakon e ligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e nëshkrimit morën pjesë komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, bashkë me kadetët e FSK-së.
Ligjet hyjnë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të dekretit.
Pas nënshkrimit, presidenti Thaçi deklaroi se kjo është një ditë e rëndësishme për formalizimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Si President i Republikës së Kosovës dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës, ju uroj juve i nderuar komandant, gjithë ushtarët, oficerët, nënoficerët dhe popullin e Kosovës. I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, tha Thaçi.
Pakoja e ligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri u miratua më 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës me një shumicë absolute të votave.
Anëtarët e komunitetit serb nuk morën pjesë në votim.
Pakoja e ligjeve ka ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, ligjin për Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe ligjin për Shërbimin në Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Me ligjet në fjalë, FSK kanë marrë një mandat “të mbrojnë integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Kosovës" si një "fuqi multietnike ushtarake, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për shërbimin në vend dhe jashtë tij, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor".