Fatjon Cuka
13 Nëntor 2015•Përditësim: 13 Nëntor 2015
TIRANË (AA) – Sot para godinës së Këshillit të Ministrave në Tiranë ka qenë radha e tregtarëve për të protestuar. Ata të mbështetur edhe nga disa organizata të shoqërisë civile kanë protestuar kundër ligjit për procedurat tatimore dhe kundër masave që ndërmerren në kuadër të operacionit kundër informalitetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në sloganet e tyre shkruhej “Na hiqni litarin nga fyti”, “Na mbyti varfëria”, “Rilindja po na burgos”, etj.
Ndërkohë përfaqësuesit e shoqërisë civile, pjesëmarrës në këtë protestë kanë bërë thirrje që të qeveria mos të ndërmarrë masa shtrënguese ndaj tregtarëve dhe ti lejojë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të qetë.
Ndërkohë reagime kundër ligjit për procedurat tatimore ka patur edhe nga tregtarët në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, si në Korçë, Fier, etj.
Qeveria Shqiptare prej disa muajsh ka ndërmarrë një operacion të gjerë në shkallë kombëtare kundër informalitetit të veprimtarisë së bizneseve, por disa nga shoqatat e biznesit kanë dalë hapur nismave të qeverisë, duke i konsideruar si penalizuese për punën e tregtarëve.
Kujtojmë se disa ditë më parë para selisë së Këshillit të Ministrave protestuan studentët nga universitete publike në vend, duke i bërë thirrje qeverisë të garantojë arsim publik falas dhe të shmangë tarifat e larta për studimet e tyre.