Sarp Özer
01 Nëntor 2022•Përditësim: 02 Nëntor 2022
Pas pezullimit nga Rusia të marrëveshjes së drithit të Detit të Zi, ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, në biseda telefonike me ministra ukrainas, ka theksuar rëndësinë e zbatimit të nismës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Türkiye-s, Akar diskutoi situatën e fundit në lidhje me dërgesat e drithit me homologun ukrainas Oleksii Reznikov dhe ministrin e infrastrukturës Oleksandr Kubrakov.
Akar ka thënë se marrëveshja e eksportit të drithërave ka kontribuar shumë në lehtësimin e krizës globale të ushqimit, pasi afro 10 milionë tonë drithë janë dërguar tek ata që kanë nevojë dhe kjo ka dëshmuar se "bashkëpunimi dhe dialogu" zgjidhin problemet.
Korridori i drithit në Detin e Zi, ka thënë ai, është shumë më i shpejtë dhe më i përshtatshëm për transportin e drithit sesa rrugët tokësore.
"Iniciativa e dërgesës së grurit, e cila është një aktivitet thjesht njerëzor, duhet të ndahet nga kushtet e konfliktit", ka bërë thirrje ai.
Türkiye "do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj në sigurimin e paqes në rajon dhe ndihmën humanitare në të gjitha nivelet, siç ka bërë deri më tani", ka shtuar Akar.
Telefonatat erdhën disa ditë pas pezullimit nga Rusia të marrëveshjes së drithit të Detit të Zi.
Të shtunën, Rusia njoftoi se kishte pezulluar pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas pas sulmeve në flotën e saj të Detit të Zi.
Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje më 22 korrik në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.