Agim Sulaj
28 Mars 2019•Përditësim: 29 Mars 2019
Në përmbylljen e projektit për trajnimin e Policisë së Kosovës nga forcat italiane (karabinierët), të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe luftës kundër pastrimit të parave, kryeparlamentari Kadri Veseli tha se korrupsioni po luftohet vetëm me fjalë, por jo edhe me vepra, raporton Anadolu Agency (AA).
Veseli tha se Kosova ka arritur progres në luftimin kundër ekstremizmit të dhunshëm, por problem sipas tij mbesin korrupsioni e nepotizmi, që, siç thotë ai, po thellohen.
“Institucionet e shtetit duhet të pastrohen nga abuzuesit. Hajnat e kanë vendin në burg e jo në shtet. Individët me përgjegjësi zyrtare që në vend të luftimit të krimit të organizuar, kanë zgjedhur të bashkëpunojnë me të, ju them se nuk do të mund të vazhdojnë edhe për shumë gjatë. Do t’i ndalim. Kudo qofshin ata, dhe pavarësisht çfarë petku politik mbajnë ata”, tha Veseli.
Ai madje tha se mentaliteti korruptiv po e rrënon Kosovën. Veseli theksoi se Kosova nuk ka rini për të humbur në perëndim, ndërsa shtoi se liberalizimi i vizave është i nevojshëm dhe duhet të ndodhë. Ai pati edhe një porosi për zyrtarët e BE-së lidhur me këtë çështje: “Nuk jemi më të mirë as më të këqinj se ju”, tha Veseli duke iu referuar faktorit evropian.
Ndërkaq, Ricardo Serri nga Zyra e BE-së tha se terrorizmi dhe radikalizmi kanë qenë problem në Kosovë, andaj ka pasur nevojë për këtë mbështetje për policinë e Kosovës dhe institucionet e saj.
Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Piero Cristoforo Sardi ka nënvizuar rëndësinë e këtij projekti për luftën kundër korrupsionit dhe ekstremizmit. Ai tha se korrupsioni nuk është vetëm vepër penale, por edhe shkatërrues i një vendi.
Komandanti i Forcave Speciale Shumëkombëshe (MSU), kolonel Ruggiero Capodivento tregoi se trajnimi i karabinierëve me policët kosovarë përfshinte mësime teorike dhe aktivitete praktike.
“Procesi i këtij trajnimi përfshinte mësime teorike dhe aktivitete praktike për të arritur një rezultat me rëndësi, duke u dhënë participantëve dije, dhe një aftësi të nevojshme për t’u përballur me operacione e situata komplekse për të rritur profesionalizmin”, tha Capodivento.
Projekti i mbështetur nga BE-ja zgjati për dy vjet ndërsa pjesëmarrësit e këtij trajnimi u pajisën me diploma. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, përfundimin e këtij trajnimi e quajti si fundin e një faze, pasi tha që policët e trajnuar tani do t’ua bartin dijen dhe përvojat e trajnimit edhe kolegëve tjerë.