Bekim Laci
19 Janar 2016•Përditësim: 19 Janar 2016
SHKUP (AA) - Me 72 vota pro dhe nëntë abstenim, Parlamenti i Republikës së Maqedonisë votoi kryeministrin e ri Emill Dimitriev i cili vjen në këtë post pas dorëheqjes së Nikolla Gruevskit, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas votimit në Parlament, kryeministri Dimitriev bashkë me ministrat nga kabineti i tij dhanë betimin solemn të cilin e bojkotuan deputetët dhe dy ministrat nga radhët e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Frosina Remenski.
Në fjalimin e tij, kryeministri Dimitriev tha se qeveria do të promovojë vlera në të cilat maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, serbet dhe vllehët kanë potencial për tu përballur me sfidat, ndërsa për postin e kryeministri tha se bartë në vete përgjegjësi të madhe.
Qeveria kalimtare të cilën do ta drejtojë, do të jetë e lirë nga secili ndikim i mundëshëm mbi procesin zgjedhor, tha kryeministri i ri. “Detyrë jona do të jetë organizimi i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe efikase, ndërsa ne këtë do ta realizojmë. Të gjitha institucionet shtetërore do t'i japin përkrahje të parezervë këtij qëllimi. Të gjitha institucionet do ta përkrahin këtë qëllim me resurset e veta njerëzore dhe nga kjo nuk ka tërheqje” tha në fjalimin e tij Dimitriev i cili porositi KSHZ-në të jetë e paanshme gjatë punës së saj, ndërsa i bëri thirje opozitës të jetë konstruktive.
“Garantoj se qeveria kalimtare do të mundësojë zgjedhje të ndershme dhe demokratike me secilin aktivitet të saj, ndërsa ju si opozitë keni përgjegjësi vendimtare në organizimin e zgjedhjeve të drejta dhe demoktratike nëpërmjet udhëheqjes së ministrive dhe organeve tjera të cilat bëjnë organizim të zgjedhjeve” tha ai.
Në qeverinë e re teknike ministër i Mbrojtjes është Zoran Jolevski, i Drejtësisë, Adnan Jashari, i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, i Financave, Zoran Stavrevski, Bekim Neziri mbetet në dikasterin e Ekonomisë, për Arsimin, Abdylaqim Ademi, Shëndetësisë, Nikolla Todorov, Bujqësisë, Mihaill Cvetkov, ministër i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, Kulturës, Elizavbeta Kançevska-Milevska, Ekologji, Nurhan Izairi , për Shoqëri Informative dhe Administratë, Marta Arsovska-Tomovska dhe Vllado Misajllovski për Transport dhe Lidhje. Ministra pa resor janë Vlladimir Peshevski, Musa Xhaferi, Fatmir Besimi, Furkan Çako, Nezhdet Mustafa, Velle Samak, Bill Pavllevski Gjeri Naumov dhe Goran Micovski.