Bekim Laci
18 Janar 2016•Përditësim: 19 Janar 2016
SHKUP (AA) - Me 72 vota për, një kundër dhe gjashtë të përmbajtur, deputetët e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë votuan për shpërbërjen e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë ky vendim hyn në fuqi më 24 shkurt, më konkretisht 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme Parlamentare më 24 prill, ashtu siç ka vendosur shumica parlamentare e cila arsyetohet se data është përcaktuar me marrëveshjen politike të qershorit.
Më herët Parlamenti konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Gruevski të cilën e kishte depozituar ditë më parë, ndërsa menjëherë pas këtij vendimi, presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov mandatin për formim të qeverisë së re, e cila do t’i organizojë zgjedhjet e prillit, ia dorëzoi Emill Dimitrievit të propozuar nga partia në pushtet VMRO-DPMNE.
Mandatari i ri, në ora 22:00 do të vijë në Parlament për të propozuar kabinetin e tij bashkë me programin qeveritar, për të cilin do të votojnë deputetët.