Hakan Çopur
22 Tetor 2015•Përditësim: 22 Tetor 2015
WASHINGTON (AA) – Wikileaks publikoi gjashtë dokumente për të cilat supozohet se janë posta private elektronike të drejtorit të Agjencisë Qendore të Inteligjencës (CIA) John Brennan, raporton Anadolu Agency (AA).
E-mailet private i zbuloi një gjimnazist i cili javën e kaluar ia dërgoi gazetës amerikane “New York Post”. Ky adoleshent u prezantua si “gjimnazist amerikan i cili nuk është musliman”.
Megjithatë, nga CIA kumtuan se në përmbajtjet e atyre postave elektronike nuk ka kurrfarë informacione sekrete.
“Familja Brennan po ashtu është viktimë e këtij rasti. Ky sulm i cili mund t’i ndodh çdo kujt duhet të dënohet. Këto dokumente nuk përmbajnë kurrfarë informacione sekrete”, theksohet në kumtesën e CIA-s.
E-mailet e publikuara datojnë nga vitet 2007 dhe 2008. Në mesin e e-mailave të publikuara është edhe ai në të cilin Brennan burrështetasit amerikan i këshillon që të përdorin retorikë të butë ndaj Iranit. Në porositë theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk kanë zgjidhje tjetër përveç se të bashkëpunojnë me ata që janë në pushtet në Iran.
Në internet faqen e Wikileaks-it bëhet e ditur se do të publikohen edhe e-mailet private të Brennan-it nga viti 2013, por nuk saktësohet kur mund të ndodhë kjo.
Brennan, para se të bëhet drejtor i CIA-s, ka këshilluar presidentin amerikan Barack Obama për politikën e brendshme dhe mënyrën e luftës kundër terrorizmit.