Besar Ademi
21 Mars 2017•Përditësim: 22 Mars 2017
SHKUP (AA) - Pas takimit me Komisionerin për Politikë Fqinjësore dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, kreu i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, deklaroi se “është disktuar për përshpejtimin e proceseve të formimit të qeverisë, pasi që çdo ditë është humbje për qytetarët e vendit dhe për perspektivat evropiane të Maqedonisë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i LSDM-së theksoi se gjatë përshpejtimit të këtij procesi duhet të tregohet kujdes nga të gjitha provokimet të cilat, siç tha Zaev, dalin nga ana tjetër.
Ahmeti: Partitë më të mëdha të ofrojnë zgjidhje në funksionimin normal të shtetit
Zaev pret që së shpejti të zgjidhet kryetari i Kuvendit të Maqedonisë dhe do të dërgojë kërkesë deri te presidenti Gjorge Ivanov, gjë për të cilën shprehu bindje se presidenti nuk të refuzojë dhe do ta jap mandatin për formimin e qeverisë së re.
“Pres që deri në fund të kësaj jave Kuvendi të mbajë seancën konstituive. Çdo gjë tjetër do të ishte banale dhe kërkesë për justifikim nga ana e VMRO-DPMNE-së. Kjo është çështje shumë e thjeshtë, të vazhdojë seanca e cila u ndërpre në dy pika. Unë jam i bindur se deri në fund të javës Kuvendi do të vazhdojë me punën e tij”, u shpreh Zaev.
Pas takimit me kreun e LSDM-së, Eurokomisari Hahn dhe tre eurodeputetët do të realizojnë takim me kreun e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Hahn më herët realizoi takim edhe me kreun e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, të LR-PDSH-së Ziadin Sela, si dhe me kreun e BDI-së Ali Ahmeti.