Nazmi Abduramani
15 Shtator 2016•Përditësim: 15 Shtator 2016
SHKUP (AA) – Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane të Maqedonisë, Arbër Ademi po qëndron për vizitë pune në Bruksel ku zhvilloi një takim me Genoveva Ruiz Kalavera, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Drejtorisë për zgjerim dhe politikë fqinjësore, transmeton Anadolu Agdency (AA).
Në takimin, siç informojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE), zv/kryeministri Ademi ka folur për gjendjen aktuale politike në vend me ç’rast u përqendrua në aktivitetet kyçe të realizuara gjatë periudhës së fundit në pajtim me detyrimet që dalin nga marrëveshja politike.
Më pas veçmas theksoi rëndësinë për organizimin e zgjedhjeve demokratike dhe kredibile parlamentare, rezultatet e të cilave do të pranohen në masë të gjerë.
Ai po ashtu, theksoi se mbetet përkushtimi i Qeverisë për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga prioritetet urgjente reformuese, duke pasur parasysh rëndësinë e tyre për perspektivën evropiane të vendit. Bashkëfolësit, gjatë takimit veçmas u përqëndruan në sfidat dhe mundësitë për planifikim më efikas dhe shfrytëzimin e mbështetjes që e siguron përmes IPA fondeve të Bashkimit Evropian, njofton SÇE.
Angazhim i përbashkët i Ademit dhe Kalaveras ishte që të vazhdohet me praktikën e bashkëpunimit dhe koordinimit të afërt të të gjitha aktiviteteve, me qëllim që të sigurohet programimi me kohë i fondeve të arritshme dhe implementimi më efikas i projekteve me çka do të pakësoheshin humbjet eventuale të mjeteve.
Në këtë kontekst, Ademi informoi se momentalisht po bëhet analizë e thellë e raportit të publikuar para do kohe e Gjykata e Revizorëve, me qëllim që të ndërmerren masat e nevojshme për adresimin e konstatimet dhe rekomandimet e raportit.
Gjatë takimit, bashkëfolësit u pajtuan se nevojitet që të vazhdohet me mbështetjen të cilën BE-ja ia jep Maqedonisë për forcimin e kapaciteteve kombëtare për migracion, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj sfere edhe për vendin, por edhe për Unionin.
Gjatë ditës, zv/kryeministri Ademi do të takohet edhe me Cristian Danielson, drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për zgjedhim dhe politikë fqinjësore të Komisionit Evropian.