Husamedin Gina
25 Shtator 2019•Përditësim: 26 Shtator 2019
"Promovimi, tërheqja dhe ngritja e cilësisë së arsimit të mesëm profesional është një prioritet kryesor i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut", tha Arbër Ademi, ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Ademi mori pjesë në hapjen e seminarit të katërt rajonal "Përvojat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në mësimin përmes punës".
Në adresimin e tij gjatë seminarit, ministri Ademi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Duke theksuar se në seminarin ndërkombëtar morën pjesë përfaqësues të vendeve që kanë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), Ademi tha se modernizimi i arsimit dhe formimit profesional është i rëndësishëm për tregun e punës.
“Sistemi kombëtar i arsimit duhet të plotësojë nevojat dhe kërkesat e tregut të punës. Ashtu që arsimi i mesëm profesional dy-vjeçar dhe tre-vjeçar është reformuar plotësisht, ne kemi më shumë se 100 kurrikula të reja. Arsimi profesional katër vjeçar gjithashtu është reformuar plotësisht”, tha ministri Ademi.
Ademi gjithashtu theksoi se Qeveria do të vazhdojë me aktivitete konkrete për mbështetjen e shkollave të mesme edhe në fushën e themelimit të kompanive dhe pajisjen e shkollave të mesme profesionale.
"Pra, këto aktivitete do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim pasi promovimi, tërheqja dhe ngritja e cilësisë së arsimit të mesëm profesional është një përparësi kryesore e MASH dhe Qeverisë", shtoi ministri Arbër Ademi.
Duke iu përgjigjur pyetjes për negociatat me Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) për të rritur pagat e arsimtarëve, Ademi theksoi se negociatat me SASHK janë duke vazhduar dhe se ata kanë dialog konstruktiv. Sipas tij, qeveria seriozisht është duke shqyrtuar që të ketë rritje të ardhshme të pagave në arsim.