Barry Eitel
16 Mars 2017•Përditësim: 17 Mars 2017
SAN FRANCISCO (AA) – Ekspertët për siguri kibernetike, njoftuan se kanë zbuluar mangësi në funksionimin e shërbimit të mesazheve WhatsApp që u mundëson hakerëve të thyejnë llogaritë duke dërguar paraprakisht fotografi me softuer keqdashës, raporton Anadolu Agency (AA).
Përveç aplikacionit të lartpërmendur, edhe shërbimi i popullarizuar për këmbim të mesazheve, Telegram, duket se është vurnerabël ndaj hakimeve.
Sulmi mbi përdoruesit bëhet në kohën kur ky shërbim përdoret përmes “ueb brouserit”.
Kompania e specializuar në sigurinë kibernetike, Check Point Research, tha se kishte zbuluar rrugën të cilën e përdorin hakerët, të cilët paraprakisht dërgojnë një fotografi me përmbajtje keqdashëse, e cila nëse hapet nga përdoruesi, me automatizëm i mundëson hakerëve të kenë qasje në llogarinë e tij në WhatsApp.
“Nëse një gjë e tillë realizohet, atëherë sulmuesi merr kontrollin e plotë mbi llogarinë me çka fiton qasje në bisedat personale dhe në grup, fotografitë, videot dhe të dhënat tjera të ndara me personat në listë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyrtarët e kompanisë Check Point, Eran Vaknin, Roman Zaikin dhe Dikla Barda.
Ata thonë se hakerët mund të zbresin fotografitë e juaja dhe ti postojnë online, të dërgojnë mesazhe në emrin tuaj, ose të kërkojnë haraç nga ju.
Check Point thotë se më 7 mars ka njoftuar WhatsApp-in dhe Telegram-in për problemin e lartpërmendur, për të shtuar se nuk ka raportime se hakerët kanë sulmuar ndonjë përdorues.
WhatsApp, që është në pronësi të Facebook-ut ka mbi një miliard përdorues, ndërkohë që Telegram ka mbi 100 milionë përdorues të shërbimeve.