Ekip
21 Dhjetor 2015•Përditësim: 21 Dhjetor 2015
ATHINË (AA) - "E humba punën time, familja ime nuk dëshironte të bisedonte me mua, kurse fëmijët e mi ndiheshin të shqetësuar për mua, kështu që ndjeva se nuk kishte mbetur asgjë për mua". Nikos ishte shtruar në spital për më shumë se një vit në një klinikë psikiatrike greke pas një tentative për vetëvrasje, shkruan Anadolu Agency (AA).
Ashtu si shumë qytetarë grekë edhe Nikos ishte goditur rëndë nga kriza ekonomike.
Sipas sondazhit telefonik të realizuar në fillim të këtij muaji, 44 përqind e qytetarëve grekë thonë se janë duke përjetuar emocione negative, si pasiguria, agonia, frika, zemërimi, dëshpërimi, stresi apo ankthi për shkak të krizës ekonomike.
Sondazhet janë kryer nga Instituti Grek i Opinionit Publik për Shkollat Kombëtare të Shëndetit Publik në lidhje me gjendjen e kujdesit shëndetësor të popullatës greke gjatë krizës ekonomike. Anketa tregon se një përqindje e lartë e njerëzve me të ardhura të ulëta kanë thënë se janë duke vuajtur nga depresioni i cili shkakton sëmundje.
Ourania Savva, punonjëse sociale në Klinikën Psikiatrike në Spitalin Eginition të Universitetit të Athinës, tha se: "Ajo që shohim në përgjithësi është se pesë vitet e fundit, ka një rritje në problemet psikologjike dhe një rritje të kërkesave në klinikat psikiatrike, sidomos për varësi nga alkooli".
Ajo shtoi se një tjetër faktor për këtë shtim është edhe rritja e mungesës së mjeteve financiare të qytetarëve për klinikat private apo institutet tjera, prandaj janë detyruar të kërkojnë ndihmë në institucionet publike.
Megjithatë, reduktimet e vendeve të punës dhe ulja e financimit për shërbimet e shëndetit mendor nga shteti, kanë dobësuar ato deri në atë pikë ku ata kanë gjetur veten të paaftë për të përballuar rritjen e numrit të pacientëve.
"Nga ajo që ne shohim, kjo ka të bëjë me problemet ekonomike që njerëzit po përballen", thotë Savva, e cila ka punuar në klinikën psikiatrike për 23 vjet. "Njerëzit janë të pa punë, taksat janë rritur, dhe dyqanet janë mbyllur. Kjo natyrisht ka një ndikim negativ në psikologjinë e njerëzve".
Rreth 27.9 përqind e popullsisë nuk mund të gjenin punë nga 2009 deri në 2014, sipas Zyrës së Statistikave të Bashkimit Evropian (EuroStat).
Shkalla e punësimit në muajin shtator ishte 38.15 përqind, sipas statistikave të ministrisë. Megjithatë numri i të punësuarave të përkohshëm është rritur me 15.46 përqind, kurse të punësuarit në ndërrime janë shtuar me 7.71 përqind, duke sugjeruar se ata që nuk kanë mundur të gjejnë punë me orar të plotë janë detyruar të punojnë më orar më të shkurtër dhe të fitojnë më pak.
Sipas anketës, rreth një e treta e popullsisë greke thotë se nuk mund të paguajnë faturat dhe borxhet, kurse 25 përqind e grekëve nuk kanë kërkuar trajtim mjekësor për sëmundjet e tyre për shkak të arsyeve financiare.
"Që nga gushti, kur ne u përballëm me situatën më të vështirë që nga fillimi i krizës, unë kam vërejtur përkeqësime psikologjike në vetën time", tha një pacient në klinikën psikiatrike që dëshiroi të mbetej anonim, "Më humbi vetëbesimi dhe dera ime e vetëm mbeti tek pijet".
"Ajo që kam vënë re është rritja e dukshme në raportet e depresionit në mesin e klientëve tanë, në aspektin e humbjes së të ardhurave të tyre, humbja e punës së tyre apo edhe të pasigurisë në punë dhe si pasojë edhe humbjen e cilësisë së tyre të jetës", thotë Chrysoula Kostogiannis, psikologe e klinikës dhe drejtore në Institutin Grek për terapi Emotive-Racionale dhe të Njohje-Sjelljes.
"Njerëzit gjithashtu e perceptojnë situatën e tanishme ekonomike sikur "kurrë nuk do të përfundojë", e cila gjithashtu u jep atyre ndjenjën e pafuqisë dhe dëshpërimit", shton ajo.
Megjithatë, sipas një studimi të kohëve të fundit nga Shkolla e Mjekësisë të Universitetit të Athinës, papunësia, varfëria dhe ankthi do të ndikojnë në shëndetin e grekëve gjatë gjithë kësaj kohe, kështu që në vitin 2030 deri në 18.6 përqind e popullsisë pritet të tregojnë shenja të sëmundjeve kardiovaskulare (infarkti i zemrës, sëmundje koronare, etj), ndërsa 15.4 përqind do të pësojnë sulme.