Stipe Mayiç
03 Nëntor 2015•Përditësim: 04 Nëntor 2015
ZAGREB (AA) - Ministri i Shëndetësisë të Shqipërisë, Ilir Beqaj dhe homolog i tij kroat, Sinisha Varga kanë nënshkruar planin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe të mjekësisë për periudhën 2015 - 2018, raporton Anadolu Agency (AA).
Delegacioni i Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga ministri, Ilir Beqaj është takuar sot me ministrin kroat të Shëndetësisë, Sinisha Varga. Në këtë takimi është prezantuar sistemi shëndetësor kroat me qëllim të shkëmbimit të përvojave në fushën e menaxhimit, organizimit dhe financimit të sistemeve shëndetësore.
Ilir Beqaj theksoi se për Ministrinë shqiptare të Shëndetësisë, bashkëpunimi në nivel ministrie dhe institucioneve të ndryshme shëndetësore me Kroacinë është i një rëndësie të veçantë.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për të marrë mësim nga Kroacia e cila, siç theksoi Beqaj, ka një traditë të gjatë të ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore për qytetarët, por edhe përvojën në përshtatjen e standardeve shëndetësore për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Beqaj tha se Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë ndodhet përballë shumë sfidave dhe detyrave, mes tjerash, përpos avancimit të sistemit të drejtë dhe efikas të kujdesit shëndetësor, në luftën kundër korrupsionit si dhe mbulimin e sa më shumë qytetarëve me shërbime shëndetësore falas, në mënyrë që të shmanget pamundësia e pagesë për një numër qytetarësh të shërbimeve shëndetësore.
Ministri Beqaj tha se pret që në bazë të marrëveshjes të nënshkruar të mundësohet trajtimi i pacientëve nga Shqipëria në Kroaci, si dhe shkëmbim më të madh të ekspertëve dhe ekspertizës mes të dy vendeve.
Ministri Varga tha se presin që marrëveshja të mundësojë standardizimin dhe tregtinë farmaceutike mes dy vendeve, dhe në veçanti theksoi nevojën për të siguruar sistemin më të barabartë të kujdesit shëndetësor dhe të sigurimit për të gjithë qytetarët.