Besar Ademi
04 Nëntor 2015•Përditësim: 05 Nëntor 2015
SHKUP (AA) – Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë për të gjashtën herë me rradhë organizoi takimin partneror vjetor, i cili ka për qëllim inkurajimin e bashkëpunimit me organizatat partnere që sigurojnë mbështetje në programet e mirëqenies sociale, programe të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së jetesës tek grupet e komuniteteve më të rrezikuara, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin e sotëm Kryqi i Kuq prezantoi mundësitë dhe aftësitë e veta për bashkëpunim me organizatat qeveritare, joqeveritare dhe me kompanitë e ndryshme në vend, të cilat synojnë ngritjen e përgjegjësisë shoqërore në ndihmë të Kryqit të Kuq.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të Kryqit të Kuq të Maqedonisë, Sait Saiti, iniciativa të këtilla ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit me kompani të ndryshme në vend, si dhe arrihet efekt për të ndihmuar grupet e komuniteteve më të rrezikuara.
“Duke inicuar bashkëpunime me firmat e ndryshme, arrijmë efekt të drejtëpërdrejt në ndihmën e popullatës së mjeruar. Ne edhe më tej iniciojmë aktivitete të ndryshme koorporative nga ana e kompanive, mirëpo duke bashkëpunuar me qytetarët arrijmë efekte edhe në të ashtuquajturën ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për kyqje në projekte të këtij lloji”, deklaroi Saiti.
Ndër përfaqësuesve të institucioneve, subjekteve politike dhe diplomatike në vend, pjesëmarrës në takim ishte edhe Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, i cili porositi të gjithë kompanitë në vend të angazhohen në ngritjen e përgjegjësisë shoqërore.
“Dy vitet e kaluara filluan edhe kompanitë e vogla dhe të mesme të ngrisin përgjegjësinë shoqërore dhe të ndihmojnë Kryqin e Kuq të Maqedonisë, qoftë edhe atë ndërkombëtar. Mendoj se kjo praktikë duhet të realizohet dhe duhet të vazhdojë ashtu siç ka filluar”, u shpreh ministri Neziri.
Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë është themeluar më 17 mars të vitit 1945, ndërsa është i pranuar me Ligjin për Kryqin e Kuq të RM-së prej vitit 1994 nga ana e shtetit, që t’iu ndihmojë institucioneve shtetërore në plan humanitar në pajtueshmëri me Konventat e Gjenevës.
Kjo organizatë është e pranuar nga Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq më 01.11.1995 dhe është anëtar i plotëfuqishëm i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së kuq nga 27 nëntori i vitit 1995.