Saadet Firdevs Aparı
03 Prill 2023•Përditësim: 05 Prill 2023
Rastet e kancerit në mbarë botën pritet të rriten me 55 për qind deri në vitin 2040 krahasuar me vitin 2020, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), raporton Anadolu.
Nëse shkalla e kancerit mbetet e qëndrueshme dhe rritja dhe plakja e popullsisë vazhdojnë paralelisht, vlerësohet se 28 milionë raste të reja do të shihen në mbarë botën deri në vitin 2040, thotë OBSH-ja.
Gjithashtu, pritet që deri në vitin 2040 të ketë rritje prej 54.9 për qind të rasteve me kancer në krahasim me vitin 2020, ku kjo rritje pritet të jetë 60.6 për qind më e lartë tek meshkujt sesa tek femrat.
Kanceri, shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekjeve, diagnostikohet në 734 mijë njerëz çdo vit ndërsa 1 në çdo 6 vdekje në mbarë botën në vitin 2020 ishte për shkak të kancerit.
Më shumë se 19.2 milionë njerëz u diagnostikuan me kancer në të gjithë botën në vitin 2020 ndërsa mbi 9.9 milionë humbën jetën për shkak të sëmundjes.
Llojet më të zakonshme të kancerit njihen si kanceri i mushkërisë, prostatës, kolorektal, stomakut dhe mëlçisë tek meshkujt ndërsa te gratë, kanceri i gjirit, kolorektal, mushkërisë, qafës së mitrës dhe tiroides.
Ndërkohë, rreth 400 mijë fëmijë diagnostikohen me kancer çdo vit në mbarë botën.
Barra fizike, emocionale dhe ekonomike e sëmundjes vazhdon të rritet në mbarë botën, duke e bërë atë një situatë jashtëzakonisht të vështirë për t'u menaxhuar në shumë vende me të ardhura të mesme dhe të ulëta.
Rreth 30-50 për qind e vdekjeve të lidhura me kancerin mund të parandalohen nëse zbulohet në fazat e hershme dhe trajtim efektiv, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm pacientësh nuk kanë akses në diagnostikimin dhe trajtimin në kohë.
Trajtimet si kirurgjia, kimioterapia, terapia me rrezatim dhe transplanti i palcës së eshtrave janë trajtimet më të zakonshme për kancerin.
Azia ka numrin më të madh të rasteve me kancer me mbi 9.5 milionë, tregojnë të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin.