Zehra Ulucak
28 Janar 2016•Përditësim: 28 Janar 2016
ANKARA (AA) - Shkencëtarët amerikanë i bënë thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që të marrë masa urgjente për të luftuar përhapjen e virusit Zika dhe të mos përsërisë gabimet e bëra gjatë luftës së fundit kundër epidemisë së virusit Ebola, raporton Anadolu Agency (AA).
Profesorët në Universitetin Georgetown të SHBA-së, Daniel Lucey dhe Lawrence Gostin në një editorial të përbashkët të botuar në revistën shkencore "Journal of American Medical Association", paralajmërojnë se rreziku i përhapjes së virusit Zika është i karakterit global.
Ata i bënë thirrje OBSH-së që të nxjerrë mësime nga situata e mëparshme lidhur me luftën kundër përhapjes së virusit Ebola dhe urgjentisht të vendosë për themelimin e Këshillit të shkencëtarëve të cilët do të kenë një rol këshillues në luftën sa më efektive për shëndetin e njeriut.
"Duhet urgjentisht të formohet Këshilli i ekspertëve të cilët do ti raportojnë udhëheqësisë së OBSH-së mbi kushtet e nevojshme për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në lidhje me shëndetin e njeriut. Procesi i formimit të një këshilli të tillë do të ngjallë interesin ndërkombëtar për këtë çështje", thonë autorët në opinionin e tyre.
Duke kujtuar se mijëra njerëz me jetë kanë paguar reagimin e vonuar të OBSH-së gjatë luftës kundër përhapjes së virusit Ebola, ekspertët Lucey dhe Gostin paralajmëruan udhëheqjen e OBSH-së se ajo nuk guxon të përsëritet sa i përket kërcënimit potencial të përhapjes së virusit Zika.