TIRANË (AA) – Ashtu siç edhe pritej, Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të udhëtoje për në Serbi pa tifozët e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Kuqezinjtë nuk do të kenë mbështetjen e zjarrtë të tifozerisë së tyre në ndeshjen që do të luhet më14 tetor në stadiumin e Beogradit.
“Ky vendim është marrë në bazë të rekomandimeve të ardhura nga UEFA, në një letër të mbërritur të shtunën në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku është vendosur që për ndeshjen e 14 tetorit në Beograd të udhëtohet pa tifozë”- thuhet në deklaratën zyrtare të FSHF-së.
Gjithashtu Federata Shqiptare e Futbollit sqaron se në të njëjtën mënyrë, do të veprojë edhe Federata Serbe, me tifozët e saj në Elbasan, të cilët nuk do të jenë të pranishëm.
Në lidhje me pengimin e tifozerisë kuqezi për të marrë pjesë në ndeshjen që do të luhet në Serbi, para disa ditësh ka reaguar grupimi “Tifozat Kuq e Zi”. Përfaqësuesi i këtij grupimi, Albi Lamaj e ka konsideruar absurd kushtin e Federatës Serbe të Futbollit dhe pengesat si të qëllimshme, që mos të këndohet himni shqiptar në Beograd.