MITROVICË (AA) – Në veri të Mitrovicës, në Kosovës janë shënuar disa incidente të vogla nga grupe të tifozëve dhe policisë pas ndërprerjes së ndeshjes kualifikuese për Kampionatin Evropian të Futbollit të zhvilluar në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë, konfirmoi zëdhënës i policisë rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë qytet, sipas tij, nuk ka pasur incidente të mëdha. Siç njofton reporteri i AA, ka pasur përplasje të vogla të tifozëve me policinë, por nuk kishte asnjë konflikt të drejtpërdrejtë të grupeve të tifozëve. Në pjesën veriore të qytetit, kryesisht të banuar me popullatë serbe, tani situata është e qetë, deri sa në pjesën jugore vazhdojnë të tubohen tifozët e ekipit kombëtar shqiptar.
Tifozët e të dy ekipeve sonte ishin mbledhur në afërsi të urës mbi lumin Ibër që ndan në mënyrë joformale këtë qytet, i cili është i mbyllur për shkak të punimeve. Ballafaqimin e grupeve të tifozëve e penguan pjesëtarët e policisë së Kosovës dhe forcat ndërkombëtare të KFOR-it.