Ekip
07 Tetor 2017•Përditësim: 07 Tetor 2017
TIRANË/SHKODËR/SHKUP (AA)-Ndeshja zyrtare eliminatore e futbollit për Botërorin "Rusi 2018", Kosovë–Ukrainë ka përfunduar me rezultatin 0-2, ndërsa edhe Shqipëria nuk ka arritur të shënojë në përballjen me Spanjën, ku ndeshja është mbyllur me rezultatin 3-0. Ndërkohë, ndeshja në Torino mes kombëtares së futbollit të Maqedonisë dhe asaj të Italisë ka përfunduar me rezultat 1:1, raporton Anadolu Agency (AA).
Pavarësisht reshjeve të shiut ndeshja e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër Kosovë-Ukrainë nuk është ndërprerë, për të përfunduar me avantazhin e ekipit të Ukrainës.

Një autogol i Paqaradës në minutën e 60-të ka kaluar në avantazh skuadrën e Ukrainës, ndërsa goli i dytë dhe i fundit është shënuar nga Yarmolenko në minutën e 87-të.
Ndërsa ndeshja Spanjë - Shqipëri e luajtur në stadiumin “Jose Rico Perez”, në qytetin Alicante të Spanjës ka përfunduar me rezultatin 3-0. Në minutën e 16-të Rodrigo ka shënuar golin e parë për Spanjën, ndërsa në minutën e 23-të shënon Isco. Golin e tretë për skuadrën vendase e ka shënuar Alcantara në minutën e 27-të, duke vulosur kështu rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll ndeshjen e radhës e ka me Italinë më 09 tetor në stadiumin "Loro Boriçi" në Shkodër.
Ndërkohë, ndeshja në Torino mes kombëtares së futbollit të Maqedonisë dhe asaj të Italisë ka përfunduar me rezultat 1:1. Giorgio Chiellini në minutën e 40-të arriti të shënojë golin e parë në favor të Italisë, ndërsa Aleksandar Trajkovski në minutën e 77-të arriti të barazojë rezultatin.
Në raundin e fundit, më 09 tetor Maqedonia në Strumicë do të presë Lihtenshtajnin.
Shqipëria renditet e treta në grupin G për Botërorin "Rusi 2018" me 13 pikë. Ndërkohë në vendin e parë të këtij grupi vijon të qëndrojë Spanja me 25 pikë, e ndjekur nga Italia me 20 pikë. Izraeli ka 12 pikë, Maqedonia 8, ndërsa Lihtenshtajni me 0 pikë.
Me ndeshjet e luajtura deri tani në grupin I kryeson Islanda me 19 pikë, Kroacia dhe Ukraina kanë nga 17 pikë, Turqia 14, Finlanda 8 pikë dhe e fundit përsëri mbetet Kosova me 1 pikë.