Admir Fazlagikj
09 Shtator 2018•Përditësim: 10 Shtator 2018
SHKUP (АА) - Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll sonte në stadiumin nacional "Filipi i Dytë" në Shkup me rezultatin 2-0 mposhti përfaqësuesen e Armenisë dhe shënoi fitoren e dytë në grupin 4 në ligën D në Ligën e Kombeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Të përzgjedhurit e trajnerit Igor Angellovski që në fillim zhvilluan një ndeshje ofensive ndërsa në minutën e 12-të të pjesës së parë Goran Pandev u tërhoq dhe u rrëzua në zonën e rreptësisë me ç'rast u akordua penalti për Maqedoninë.
Nga pika e bardhë Ezgjan Alioski e mposhti portierin e Armenisë, Airapetjan.
Me epërsi minimale prej 1-0 përfundoi pjesa e parë e ndeshjes.
Në pjesën e dytë në minutën e 59-të nëpërmjet një aksioni të cilin e filloi Enis Bardhi, kapiteni Pandev e mposhti portierin armen dhe e rriti epërsinë në 2-0.
Futbollistët e Armenisë patën disa raste por nuk arritën të shënojnë gol.
Pas kësaj ndeshje, Maqedonia është në pozitën e parë në grup me 6 pikë të fituara para Armenisë e cila ka 3 pikë.
Ndeshjen e radhës Maqedonia do ta luajë më 13 tetor në Shkup ndaj Lihtenshtajnit.