Elena Teslova
11 Qershor 2018•Përditësim: 12 Qershor 2018
ELENA TESLOVA
MOSKË (AA) - Kanë përfunduar përgatitjet për Kampionatin Botëror 2018 të FIFA-s që do të mbahet nga 14 qershor deri më 15 korrik nën organizimin e Rusisë, shkruan Anadolu Agencuy (AA).
Siç theksohet, 64 ndeshjet në kampionatin ku do të luajnë përfaqësueset e 32 vendeve të kualifikuara, do të zhvillohen në 12 stadiume në 11 qytete të ndryshme.
Vetëm në stadiumet Lujniki dhe Spartak në kryeqytetin Moskë do të luhen 12 ndeshje duke përfshirë edhe ndeshjen finale, ndërsa ndeshjet e tjera do të luhen në Shën Petersburg, Kaliningrad, Kazan, Nijniy Novgorod, Rostov-on-Don, Samara, Saransk, Soçi, Volgograd dhe Ekaterinburg.
Organizatorët e kampionatit botëror presin që në Rusi të hyjnë mbi një milionë persona për të ndjekur ndeshjet.
Ndërkaq, ndeshjet në transmetimet direkte është përllogaritur të ndiqen nga rreth gjysma e popullsisë së botës, konkretisht rreth tre miliardë njerëz.
Për përgatitjet e botërorit janë shpenzuar rreth tetë miliardë dollarë
Për përgatitjet e kampionatit botëror që do të organizohet në Rusi janë shpenzuar rreth tetë miliardë dollarë. Që nga shpallja e vendimit për organizimin e turneut në vitin 2010 e deri tani janë ndërtuar dhjetë stadiume në 11 qytete, si dhe janë restauruar dy të tjerë. Rusia brenda këtij afati kohor ka ndërtuar 62 hotele të reja me një kapacitet për rreth dhjetë mijë dhoma për të rritur mundësitë e strehimit pët spektatorët që do të ndjekin ndeshjet.
Gjithashtu investimet e kryera kanë sjellë edhe nevojën e zhvillimit të infrastrukturës, në kuadër të së cilës janë kryer ndërtime, rinovime dhe riparime të rrugëve dhe në linjën e transportit publik. Sipas të dhënave të qeverisë ruse, kostoja e gjithë infrastrukturës së ndërtuar për Kampionatin Botëror 2018 ka arritur në rreth tetë miliardë dollarë.
Në të gjitha qytetet janë ngritur hapësira të veçanta ku tifozët do të mund të shikojnë ndeshjet në grupe. Këto hapësira janë ngritur në vendet më turistike ku aktivitetet do të jenë në formën e festivalit. Përveç ndjekjes së ndeshjeve në ekrane të mëdha, do të zhvillohen edhe koncerte dhe takime me yjet e futbollit. Gjithashtu, në këto hapësira sponsorët e FIFA-s do të shesin suvenire speciale.
Gjatë kampionatit, rreth 15.000 vullnetarë në qytete dhe stadiume të ndryshme në 11 qytete do të ndihmojnë ekipet e futbollit dhe tifozët e ardhur në Rusi.
Personat që kanë marrë biletë për të ndjekur kapionatin botëror, falë tyre do të mund të udhëtojnë drejt Rusisë pa viza. Spektatorët me biletën e regjistruar FanID bashkë me pasaportat e tyre do të mund të qëndrojnë në Rusi pa viza që nga koha dhjetë ditë para ndeshjes së parë e deri më dhjetë ditë pas përfundimit të kampionatit.
Po ashtu, tifozët me biletë do të mund të përfitojnë falas nga trenat për të udhëtuar në qytetet ku do të luhen ndeshjet. Për ecurinë e kampionatit botëror, Rusia ka marrë masat e sigurisë në nivel të lartë. Rreth 150 policë të huaj nga 32 vende të ndryshme do të shërbejnë me detyrë në qendrën ndërkombëtare të bashkëpunimit policor.
Në qytetet ku do të luhen ndeshjet janë vënë në detyrë policë specialë, ndërsa në Moskë janë angazhuar 1.500 policë shtesë.