Stadiumi "Levi's", i vendosur pranë San Francisko-s në zemër të Luginës së Silikonit, qendra e teknologjisë në SHBA, po përgatitet të jetë një vend kyç për Kupën e Botës FIFA 2026, raporton Anadolu.
I ndërtuar me vizionin "stadiumi me teknologjinë më të lartë në botë", objekti synon t'u ofrojë tifozëve të futbollit një përvojë unike gjatë gjithë turneut.
Stadiumi "Levi's" i projektuar nga kompania arkitekturore HNTB dhe i hapur më 17 korrik 2014, u ndërtua me një investim prej 1.2 miliard dollarësh.
I shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 172 mijë metrash katrorë, stadiumi tërheq vëmendjen me arkitekturën e tij të qëndrueshme dhe integrimin teknologjik.
- Organizime të rëndësishme
Që nga hapja e tij, stadiumi "Levi's" është bërë qendër për botën e sportit dhe argëtimit, duke pritur organizime të mëdha si Super Bowl 50 dhe "Copa America Centenario 2016".
Me kapacitetin e tij të lartë dhe infrastrukturën moderne, stadiumi është një vend kyç për ngjarje globale.
- Ekipet dhe goli i parë
Stadiumi "Levi's" është shtëpia e San Francisko 49ers, një nga ekipet me rrënjë të NFL-së.
Ngjarja e parë sportive në stadium ishte një ndeshje futbolli midis ekipeve të MLS-së, San Jose Earthquakes dhe Seattle Sounders, më 2 gusht 2014.
Goli i parë në këtë ndeshje historike u shënua nga Yannick Djalo, i cili luante për San Jose Earthquakes.
- Kapaciteti dhe rekordet
Stadiumi ka kapacitet prej 68.500 spektatorësh për ndeshjet e futbollit amerikan, por kjo mund të kalojë 75 mijë për ngjarje të veçanta.
Në vitin 2019, stadiumi priti 74.814 spektatorë në finalen e Kampionatit të Futbollit Universitar.
- Një qendër e botës së muzikës
Përtej sporteve, stadiumi njihet edhe si një pikë takimi për kulturën popullore.
Beyonce, Taylor Swift, Coldplay dhe The Rolling Stones, ndër artistët dhe grupet më të mëdha në botë, janë takuar me mijëra fansa të tyre në këtë arenë gjigante falë kapacitetit të madh të stadiumit dhe sistemeve të përparuara të zërit.
- Kupa e Botës FIFA 2026 dhe përvoja e tifozëve
Stadiumi "Levi's" do të presë ndeshje vendimtare të fazës së grupeve të Kupës së Botës 2026.
Kampuset teknologjike dhe zonat e gjera përreth stadiumit do të transformohen në parqe interaktive tifozësh për tifozët e futbollit gjatë gjithë turneut.
Zonat e përvojës dixhitale që pasqyrojnë frymën inovative të Luginës së Silikonit do të jenë në zemër të ngjarjeve rreth stadiumit.
Autoritetet lokale dhe komiteti i turneut po hapin linja shtesë për të lehtësuar aksesin në stadium në ditët e ndeshjeve ndërsa planifikojnë gjithashtu ngjarje të shumta falas dhe pika shikimi në zonat e Santa Clara-s dhe San Francisko-s për të shfaqur diversitetin kulturor të futbollit.