Furkan Abdula
26 Gusht 2019•Përditësim: 27 Gusht 2019
Ish-futbollisti dhe trajneri turk Ümit Karan njoftoi dorëheqjen nga detyra e drejtorit teknik të klubit të ligës së parë të Maqedonisë së Veriut, KF Shkupi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, Karan tha se gjatë vitit të kaluar kanë punuar që ekipin ta bëjnë më profesional, pasi, siç tha ai, në kohën kur kishte ardhur në detyrë, Shkupi nuk ishte një ekip profesional në nivelin e nevojshëm.
"Mendoj se bëmë një punë të mirë. Kur unë erdha, ishim në fund të tabelës, por më pas shkuam në garat evropiane", tha Karan.
"Meqenëse nuk do të mund t'u ofroj më shumë lojtarëve këtu dhe ekipit, mendoj se është e nevojshme t'i jap fund punës sime këtu. Tani duhet të hedh hap prapa dhe t'u lë hapësirë mundësive të reja, sepse unë vërtet e dua këtë skuadër dhe mendoj se kam punuar shumë mirë për këtë skuadër, Por, ka ardhur koha të hedh hap prapa", theksoi Karan.
Trajneri turk tha po ashtu se klubi ka një të ardhme të mirë dhe se nuk dëshiron të jetë pengesë e kësaj të ardhme.
"Ky ekip gjithmonë do të ketë vend në zemrën time, por futbolli është i tillë. Unë nesër mund të jem në një ekip tjetër dhe mund të përballem me Shkupin. Ky është futbolli. Ky ishte një fillim i mirë për karrierën time si drejtor teknik", deklaroi Karan, duke falënderuar lojtarët dhe stafik teknik.
Ai tha se qëllimi i tij ka qenë të fitojë të gjitha nëntë pikët nga tri ndeshje.
"Ky është qëllimi im, por nuk e arrita. Për këtë arsye, ka ardhur koha të them 'ndal'", shtoi Karan.
I pyetur se ku do ta vazhdojë karrierën, Karan tha: "Kam nevojë që për një kohë të pushoj. Më kanë ardhur disa oferta. Të shohim se çfarë ndodh. Mbase mund të ngelem në Maqedoni, nuk dihet, por fillimisht do të shkoj në Turqi për ta parë familjen dhe më pas do të marr vendim. Uroj që Shkupi të bëhet kampion".
Ndërkaq, drejtori sportiv i Shkupit, Omer Bunjaku, tha se ende nuk dihet se kush do të vijë në vend të Karan.
"Shfrytëzoj rastin ta falënderoj publikisht. Na ka dhënë një frymë shumë tjetër në klub, një frymë fituese, një frymë që në çdo ndeshje kemi kërkuar fitore dhe e kemi arritur atë. Siç e dimë të gjithë, në sezonin e kaluar kur Ümit Karan erdhi te ne, kemi qenë në pozitën e fundit në tabelë dhe kemi dalë në Evropë. Pa dyshim që meritat më të mëdha i ka ai si trajner, meqë të gjithë Shkupin e shikonin në mbijetesë, ndoshta në ligë të dytë, por Ümit-i arriti që Shkupin ta çojë në Evropë", tha Bunjaku, duke shprehur bindje se në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur dhe nuk do të ketë "emër më të madh" se Ümit Karan.
Kujtojmë se Karan filloi detyrën si drejtor teknik i Shkupit në fillit të sezonit të kaluar.