Muhammed Enes Çallı
14 Nëntor 2019•Përditësim: 15 Nëntor 2019
Zlatan Ibrahimoviç në rrjetet sociale ka konfirmuar se nuk do të vazhdojë kontratën me LA Galaxy, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kontrata e ish sulmuesit suedez me klubin e MLS-së do të përfundojë në dhjetor të vitit 2019.
Ibrahimoviç ka vlerësuar LA Galaxy në Twitter me një mesazh ironik për tifozët e klubeve amerikane duke thënë ''rrëfimi vazhdon ... e tani kthejuni e shikoni bejsboll'' në postin e tij të lamtumirës.
“Erdha, e pash, e pushtova. Faleminderit LA Galaxy që më bëtë të ndjehem i gjallë sërish. Fansave të Galaxy, Ju e donit Zllatanin, Ua dhashë Zllatanin. S’ka për se. Rrëfimi vazhdon…tani kthejuni shikoni bejsboll”, postoi në Twitter.
LA Galaxy lëshoi një njoftim nga faqja e tyre në internet për të njoftuar mbi largimin e Ibrahimoviçit.
''Klubi dhe lojtari kanë rënë dakord të ndajnë rrugët'', theksoi LA Galaxy.
"Dëshirojmë të falënderojmë Zllatanin për kontributin e tij në LA Galaxy dhe Major League Soccer", tha presidenti i LA Galaxy, Chris Klein.
Ibrahimoviç ka pasur paraqitje të shkëlqyer për LA Galaxy, duke shënuar 53 gola në 58 ndeshje.
Para se të bashkohej me klubin amerikan në mars të vitit 2018, golashënuesi më i mirë i Suedisë ka luajtur për gjigantët evropian si Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milano, Paris St Germain dhe Manchester United.