Ali Murat Alhas, Beyaz Binnur Donmez
08 Mars 2019•Përditësim: 09 Mars 2019
Sipas një marrëveshjeje të arritur vjeshtën e kaluar, sot Turqia dhe Rusia fillojnë patrullimet brenda dhe rreth qytetit veriperëndimor të Idlibit në Siri, tha ministri i Mbrojtjes i Turqisë Hulusi Akar, raporton Anadolu Agency (AA).
"Sot, Rusia fillon patrullimet në zonën kufitare jashtë Idlibit, ndërsa patrullat e Forcave të Armatosura Turke do të fillojnë në zonën e çmilitarizuar", tha Akar në panelin editorial të AA-së.
Marrëveshja e shtatorit të kaluar krijoi një zonë të çmilitarizuar në Idlib dhe zona të tjera, por regjimi sirian ka shkelur vazhdimisht armëpushimin, shtoi Akar.
Ruajtja e armëpushimit në Idlib është një hap i rëndësishëm për sigurimin e stabilitetit në Siri, theksoi ai.
"Turqia është e shqetësuar nga shkelja e armëpushimit në Idlib nga ana e regjimit dhe pret që ai ta respektojë marrëveshjen", deklaroi Akar.
Akar tha gjithashtu se blerja e sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia "nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri" për Turqinë.
Duke filluar nga muaji tetor, sistemet e para S-400 do të instalohen në Turqi, tha ai, duke shtuar se Forcat Ajrore Turke janë duke shqyrtuar se ku do të vendosen raketat.
Pas përpjekjeve të përsëritura për të blerë raketa mbrojtëse nga SHBA dhe mossuksesit në këtë drejtim, në vitin 2017 Ankaraja vendosi të blinte sistemet ruse S-400.
Ky hap është kritikuar nga Pentagoni, i cili ka paralajmëruar se blerja e sistemeve S-400 do të dëmtojë raportet Turqi-SHBA dhe rolin e Turqisë në NATO. Zyrtarët e SHBA-së kanë thënë gjithashtu se sistemi amerikan Patriot mund të shërbejë si një alternativë.
Megjithatë, zyrtarët turq kanë thënë në mënyrë të përsëritur se edhe nëse Turqia blen sisteme Patriot, kjo nuk do të anulojë marrëveshjen S-400.
Duke folur për spekulimet se Turqia vë në shënjestër komunitetin kurd, Akar i cilësoi këto pohime si gënjeshtra dhe tha se shënjestër e vetme e forcave turke janë vetëm terroristët, dhe jo "vëllezërit kurdë".
Ai po ashtu potencoi se Turqia është shteti i vetëm që lufton ballë për ballë me DEASH-in dhe neutralizon terroristët më radikalë të kësaj organizate terroriste.